Përfundon vizita e misionit të FMN-së në Kosovë
Prishtinë, 5 mars - Nga data 21 shkurt deri më datë 05 mars 2012, në Kosovë qëndroj një Mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar i udhëhequr nga Johannes Wiegand, me qëllim të vlerësimit të performancës së programit të monitoruar nga stafi i FMN-së (SMP) si dhe negocimit të marrëveshjes së re StandbyArrangement (SBA).
Bazuar në performancën fiskale dhe implementimin e kritereve tjera që ndërlidhen me reformat strukturore në ekonomi, implementimi i marrëveshjes SMP nga ana e Misionit të FMN-së në përgjithësi është vlerësuar të jetë pozitiv.
Një vlerësim i tillë, ka hapur rrugë për negocimin e marrëveshjes SBA e cila marrëveshje ofron qasje në financim nga ana e këtij institucioni.
Gjatë këtyre ditëve, janë zhvilluar takime intensive me përfaqësuesit e FMN-së, që kanë rezultuar me një harmonizim të qëndrimeve për marrëveshje StandBy Arrangement, që pritet të miratohet nga Bordi i FMN-së në vlerë prej 107 milionë.
Marrëveshja StandByArrangement është arritur nën skenarin e parashikimeve të matura ekonomike nga ana e FMN-së, që merr parasysh ndikimin e mundshëm të zhvillimeve në eurozonë.
Përkundër kritereve që përcaktohen me këtë marrëveshje ajo në të njëjtën kohë mbështet:
thellimin e procesit të reformimit të Shërbimit Civil i cili tashmë është në proces të hartimit të legjislacionit sekondar,
fillimin e matur të reformave në sektorin e shëndetësisë,
vazhdimin e implementimit të reformave strukturore (kryesisht në energji) me qëllim të ngritjes së konkurrueshmërisë dhe zhvillimit ekonomik në përgjithësi,
implementimin e reformës në procesin e decentralizmit fiskal duke iu krijuar mundësi komunave për fleksibilitet në planifikimin e të hyrave vetanake,
procesin e ndërtimit të Rrugës 7 si dhe hapë mundësinë për planifikimin e matur të Rrugës 6 duke e integruar këtë projekt brenda kornizës së qëndrueshme afatmesme buxhetore.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është në harmoni me pritjet dhe planifikimet buxhetore për vitin 2012, ku fondet nga FMN-ja do të përdoren sipas projektimeve të parapara buxhetore.
Po ashtu marrëveshja hap rrugën për fillimin e procesit të hartimit të buxhetit për vitin 2013.
Për më tepër vlerësimi pozitiv i programit paraprak SMP, hap rrugë për disbursim të këstit të dytë të mbështetjes buxhetore nga ana e Bankës Botërore në vlerë prej mbi 30 milionë gjatë gjysmës së parë të këtij viti.