Përfundon Projekti i Binjakëzimit në mes të ZKA-së dhe asaj të Polonisë
Prishtinë, 31 maj - Mbahet Konferenca Përmbyllëse e Projektit të Binjakëzimit ”Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit”. Ky projekt është financuar nga Bashkimi Evropian dhe është zbatuar nga Zyra Supreme e Auditimit të Polonisë.
Në konferencë morën pjesë Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, presidenti i Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë, Marian Banaś me bashkëpunëtor, si dhe Zëvendësshefja e Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Hillen Francke.
Në fjalën hyrës të kësaj konference, Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, falënderoj Bashkimin Evropian për financimin e Projektit të Binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit” si dhe Institucionin Suprem të Auditimit të Polonisë për profesionalizimin, angazhimin dhe kontributin e dhënë për të zbatuar me sukses këtë projekt.
Osmani ka vlerësuar lartë bashkëpunimin me kolegët polak, duke thënë se realizimi i këtij projekti ka pasur për qëllim përmirësimin e mëtejmë të menaxhimit të financave publike në Kosovë si dhe të rrisë besimin në shpenzimet publike duke promovuar transparencë dhe duke rritur llogaridhënien publike.
“Pavarësisht se 90% e projektit është zbatuar gjatë kohës së pandemisë, me shumë sfida dhe paqartësi rreth situatës, projekti arriti të zbatohet me sukses. Falë këtij projekti Zyra Kombëtare e Auditimit ka Strategjinë e Komunikimit përmes së cilës synohet komunikim më efektiv me qytetarët, Parlamentin dhe palët e tjera të interesit; Udhëzuesin për rekomandime të auditimit dhe data bazën e rekomandimeve përmes së cilave synojmë të rrisim cilësinë e rekomandimeve që ne japim dhe të rrisim transparencën lidhur me rekomandimet në kohë reale; si dhe Doracakun e përditësuar të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë përmes së cilit synojmë të rrisim cilësinë e auditimeve tona dhe të jemi më afër Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit”, është shprehur Osmani.
Ndërkohë presidenti i Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë, Marian Banaś, është shprehur i kënaqur me rezultatet e arritura nga Projekti i Binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit”. Ai ka thënë se ky projekt ka shërbyer për rritje të cilësisë në auditim dhe zbatimin e rekomandimet nga subjektet e audituara. Banaś ka falënderuar për bashkëpunim të vazhdueshëm në kuadër të këtij projekti kolegët nga Institucioni Suprem i Auditimit të Polonisë si dhe ata të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar që ISA e Polonisë ka mundur të implementojë këtë Projekt këtu në Kosovë, ne si dy vende ndajmë eksperiencë dhe histori të ngjashme. Falënderoj Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës për vizionin dhe kurajon e tij. Besnik Osmani më të vërtetë është një lider i përgjegjshëm i cili e kupton rëndësinë e zhvillimit dhe bashkëpunimit”, ka deklaruar Banaśi.
Kurse zëvendësshefja e Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Hillen Francke, ka thënë se ndihet mirë për financimin e këtij projekti që ka dhënë rezultate të frytshme dhe se Zyra e Bashkimit Evropian mbetet e përkushtuar që në vazhdimësi ta mbështes Zyrën Kombëtare të Auditimit në ngritjen e kapaciteteve të saj.
“Më të vërtetë jam e kënaqur me rezultatet e Projektit të Binjakëzimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë. Po ashtu si BE jemi të kënaqur me bashkëpunimin në mes të këtyre dy organizatave sepse të dy palët kanë treguar shumë fleksibilitet gjatë zbatimit të projektit në kohë pandemie. Nuk është hera e parë që e ndihmojmë ZKA-në e Kosovës, në fakt ky është projekti i shtatë të cilin ne e mbështesim. Institucionet Supreme të Auditimit kanë rendësi të madhe në shpenzimin e parasë publike dhe llogaridhënien”, ka deklaruar Francke. Ajo ka shtuar se ZKA-ja në vazhdimësi ka rritur numrin e auditimeve të Ndërmarrjeve Publike si dhe auditimet e fondeve të donatorëve. Mirëpo suksesi më i madh i saj është anëtarësimi në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare të auditimit INTOSAI dhe EUROSAI.
Ndërkaq rezultatet e projektit në detaje janë prezantuar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, njëherësh udhëheqës i Projektit, Ilir Salihu dhe kryesuesi i projektit nga Institucioni Suprem i Auditimit të Polonisë Wojciech Kutyla.
Objektivë e projektit të binjakëzimit ishte që të mbështetet Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës në zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve të saj në realizimin e qëndrueshëm të objektivave dhe të misionit të vet sipas Standardeve Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA) dhe rritjen e ndikimit të saj përmes komunikimit të intensifikuar me qytetarët, Parlamentin dhe palët tjera të interesit.
Komponentët kryesore të këtij projekti ishin: (i) Komunikimi me qytetarët, Parlamentin dhe palët e tjera të interesit; (ii) Fuqizimi i kapaciteteve institucionale të ZKA-së; dhe (iii) Përditësimi i doracakëve të auditimit (financiar dhe të pajtueshmërisë) dhe të letrave të punës, në përputhje me legjislacionin dhe SNISA-t.