Përfundon me sukses aksioni "Ta pastrojmë Kosovën"
Në këtë ditë, që tashmë është bërë ditë tradicionale për mbledhjen e mbeturinave, u mblodhën rreth 11 mijë tonë mbeturina.
Aksioni ishte i organizuar nga grupi "Ta pastrojmë Kosovën" dhe u mbështet fuqishëm nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që mështeti iniciativën me rreth 100.000 euro.
Në Prishtinë, aksioni filloi në lagjen Arbëria, tek varrezat e qytetit, ku në hapje morën pjesë edhe shumë përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfshirë Ministrin e MMPH'së Dardan Gashi, Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, Ministrin e Arsimit, Ramë Buja, Ministri i Mirëqenies, Nenad Rashiq dhe shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Pas hapjes së aksionit, një numër i punëtorëve të MMPH bashkë me Ministrin Gashi vazhduan aksionin në një deponi ilegale tek varrezat në Fushë Kosovë.
Në mënyrë të organizuar morën pjesë edhe të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.
Të organizuar dolën edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, duke përfshirë punëtorët e USAID, OSBE, të cilëve iu bashkangjit edhe Ambasadori Jean Claude Schlumberger.
Gjithashtu morën pjesë edhe punëtorët e korporatave tjera që veprojnë në Kosovë.
Me pjesëmarrje masive dolën qytetarët e Pejës, ku numri i pjesëmarrësve ishte më i larti dhe arriti deri në 33.500 njerëz.
Ndërkaq, në komunën e Istogut u arrit që të zhdukeshin të gjitha deponitë ilegale. Sipas numrit të pjesëmarrësve, doli se aksioni këtë vit ishte edhe më si suksesshëm se vitin e kaluar.