Përfshirja e grave në të drejtat pronësore dhe financave mision i Qeverisë së Kosovës
Vjenë, 14 maj – Takimi i Ministrave të Ballkanit Perëndimor, nën organizimin e Bankës Botërore në Vjenë, me temën Potenciali i rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor, përmirësimi i barazisë gjinore në qasjen dhe mundësitë ekonomike, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka diskutuar për Promovimin e Barazisë në Ndërmarrësi, pronë dhe financa.
Ministrja Hoxha, është përqendruar në fuqizimin e gruas si një çështje që kërkon shumë vëmendje dhe punë, duke cekur se Kosova ka qasje proaktive në drejtim të fuqizimit të grave.
“Sfida më e madhe me të cilën ballafaqohemi sot është lufta kundër korrupsionit dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në të drejtat pronësore dhe financiare”, theksoi Ministrja Hoxha, duke cituar një deklaratë të Bankës Botërore se “duhet të jepet më shumë mbështetje për më shumë gra në politikë dhe fuqi punëtore, pasi ato do të ishin një forcë efektive për qeverisje të mirë dhe besueshmëri në punë” si dhe tendenca e grave që të mos korruptohen – është arsyeja që shpesh i ka mbajtur ato jashtë politikës.
Promovimi i përfshirjes së grave në të drejtat pronësore dhe financave në përgjithësi është një mision shumë i rëndësishëm për mua dhe Qeverinë e Kosovës, theksoi Ministrja Hoxha, e cila më tej citoi ish sekretarin e OKB-së, z. Anan se “barazia gjinore është më shumë se një qëllim, është një parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm dhe qeverisjen e mirë”.
Po punojmë aktivisht në fushatat për promovimin e të drejtave pronësore për gratë dhe kemi një progres të konsiderueshëm në këtë drejtim por ende mbetet për t'u bërë, ka theksuar Ministrja Hoxha, duke shtuar se ka shumë programe dhe subvencione për të mbështetur gratë në biznes si dhe Fondin për Garantimin e kredive i cili ofron garanci për kredi për bizneset në pronësi të grave dhe kjo është një nga përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të fuqizuar rolin e grave në financa dhe sipërmarrje.
Në konferencë u potencua se ndryshimet e politikave mund të kontribuojnë duke vënë detyrimet ligjore të cilat me kohë bëhen zakon. Kjo është mënyra e vetme për të ndihmuar edhe për të ndryshuar perceptimin se gratë dhe burrat nuk janë të barabartë. Çdo përpjekje duhet të fillojë nga familjet, vendet e punës, politikanët dhe në të gjithë shoqërinë.