Përfshirja e fëmijëve në aktivitete dëmtojnë zhvillimin e fëmijëve
Prishtinë, 9 shtator - Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF i cili përfaqëson njëzet e dy organizata jo qeveritare, reagon ndaj publikimit të fotografive të pa përshtatshme të një vajze të publikuara në rrjetin social Facebook, fotografi të cilat rrezikojnë apo dëmtojnë integritetin, personalitetin dhe zhvillimin e fëmijës.
KOMF thekson që prindërit të cilët e keqpërdorin ushtrimin e të drejtës prindërore ose në mënyrë serioze e neglizhojnë ushtrimin e të drejtës prindërore, privohen nga kujdesi. Poashtu, përfshirja e fëmijëve nga prindërit apo personat e tjerë në aktivitete që e rrezikojnë apo dëmtojnë zhvillimin e fëmijës është vepër penale.
Organi i Kujdestarisë (Qendra për Punë Sociale) si institucion i mandatuar për mbrojtjen e fëmijëve, nëse mëson për rrezikun ekzistues për fëmijën për shkak të abuzimit të së drejtës prindërore ose çfarëdo rreziku për fëmijën, është i detyruar që urgjentisht të ndërmarrë masa për mbrojtjen e personalitetit, të drejtave dhe interesave të fëmijës.
KOMF njofton se tashmë i është drejtuar Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Gjilanit me kërkesën për inicimin e veprimeve të parapara në bazë të legjislacionit në fuqi.
KOMF ju bën thirrje mediave dhe qytetarëve që të mbrojnë personalitetin e fëmijës duke mos publikuar dhe shpërndarë imazhet e pa përshtatshme apo denigruese të fëmijëve, por inkurajon ata që të njëjtat ti raportojnë tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë.