16 Janar 2025

Performanca e NP-ve ka shënuar përmirësime

Prishtinë, 6 mars - Krahasuar me vitin 2010 kemi rritje të  fitimit të Ndërmarrjeve Publike për 11.8 për qind, pra krahasuar me vitin paraprak kemi një performancë më të mirë, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike duke prezantuar Raportin mbi Performancën e Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2011.

Ministri Beqaj saktësoi se Raporti që ka para vetes Komisioni, është bazuar në raportet e Auditorit të Jashtëm, zyrat e rregullatorit dhe Raportit Vjetor të NP-ve dhe aty ku ka pasur mospërputhje është marrë parasysh mendimet e rregullatorit.

“Ky raport përmban performancën operative që flet për  rezultatet, efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve nga këndvështrimi ynë përmban perfomancën financiare që flet për qarkullimin, shpenzimet dhe profitet për qeverisjen e korporatave, funksionimin e bordeve, llogaridhënien dhe planifikimin e biznesit që duhet të bëjnë, dhe normalisht të adresojmë edhe perspektiven dhe sfidat për të ardhmen”, tha ai.

Beqaj, tha se kjo nuk është gjendja më e mirë e mundshme, por ky përmirësim është duke ndodhur falë llogaridhënies që është instaluar, falë rregullit dhe monitorimit e funksionimit që është instaluar.

Sipas tij, në këtë kontekst dy kompani kanë rritur ndjeshëm fitimet e tyre financiare, dy kompani janë kthyer në kompani fitimprurëse që kanë pasur humbje, ndërsa 7 kompani kanë zvogëluar humbjet, duke shënuar progres në adresimin e çështjeve të tyre.

Sektori i energjisë

Sa i përket sektorit të energjisë, Beqaj tha se ka shumë probleme që janë të natyrës që Kosova ka nevojë për diku rreth 1300 megavatë në kohën e pikut dhe përkundër se prodhohet rrymë gati 100 për qind nga kapacitetet e instaluara, kjo nuk është e  mjaftueshme.

“Sipas raportit kemi prodhim të qymyrit më shumë dhe më mirë nga viti paraprak, kemi prodhimin e rrymës që është pakrahasimisht më mirë nga viti paraprak, kemi reduktim të humbjeve komerciale dhe teknike, është rritur inkasimi dhe janë ulur humbjet e transmisionit për 0.32 për qind dhe është rritur kapaciteti i transformatorëve  nga 1500 megavat orë në 1800 megavat orë”, tha kreu i MZHE-së.

Beqaj më tutje tha se subvencionimi në këtë sektor ka shkuar në favor të qytetarëve, kur dihet se para 3 viteve kishim 40 milionë subvencione, këtë vit kemi vetëm 11 milionë subvencione, ndërsa ka 25 milionë euro investime në përmirësim të ambientit nga mjete vetanake të KEK-ut dhe nuk ka asnjë biznes që ankohet për mungesë kronike të energjisë gjë që dëmton ekonominë.

“Dimri i vitit 2011 dhe hyrja në 2012 ka qenë ndër vitet më të rënda energjetike në rajon dhe ne nuk kemi pasur shkëputje të energjisë. Në treg energjia është tregtuar jo më shumë se 200 megavat dhe çmimi ka arritur në 300 euro për megavat, që është mbi mesataren tonë që është diku 100 euro, pra flasim për përmirësim të performancës”.

Sektori i telekomunikacionit

Duke u ndalë te sektori i telekomunikacionit, numri një i MZHE-së tha se Ministria ka marrë kompetencën në fushën  e telekomunikacionit dhe ka bërë reformat e nevojshme që ky sektor të jetë funksional dhe stabil.

“Në sektorin e telekomunikacionit nuk pa ndonjë rritje apo rënie të theksuar dhe kjo nuk lidhet me sektorin në Kosovë, por në sektorin e telekomunikimit edhe më gjerë. Kjo i adresohet jo vetëm operimit të brendshëm të ndërmarrjeve, por i adresohet funksionimit të përgjithshëm në fushën e komunikimit”, tha Beqaj.

Ministri vuri në dukje se në sektorin e transportit shihet që ANP ka rënie të fitimeve por duhet theksuar që në këtë sektor ka pasur koncensionim që është  rezultat i këtyre veprimeve, andaj dhe ndarja financiare ka ndikuar që ANP të zvogëlojë fitimet, por nuk është dëmtuar performanca e aeroportit.

“Lidhur me hekurudhat që janë ndarë në Trainkos dhe Infrakos, dy ndërmarrje që janë funksionale në tërësi dhe operojnë falë edhe disa subvencionimeve sepse kemi vendime në nivel shtetëror që nuk mundësojnë Tranikos-in që të jetë profitabil sepse kemi “tren të lëvizjes së lirë” që subvencionohet dhe kjo nuk i lejon performim profitabil.

Sektori i ujërave

Sa i përket sektorin e ujërave, ministri Beqaj tha se kemi kompanitë rajonale të ujësjellësit, kompani rajonale të ujitjes dhe Ibër Lepencin si sistem. Ai shtoi se rënia te Ibër Lepenci nuk mund t’i adresohet në asnjë rrethanë menaxhmentit sepse do të ishte jo korrekte, ngase në vitin e kaluar kushtet klimatike nuk kanë mundësuar që baseni të ketë më shumë ujë, gjë që ka përcaktuar performancën e tyre.

“Dua te iu them që Kosova është në nivel rajonal sa i përket humbjeve të ujit. Shqipëria ka humbje të ujit 60 % nga totali, Maqedonia ka 63 %, Bosnja e Hercegovina ka 50%, Kroacia ka afër 50%, Sllovenia ka 26 % dhe ne jemi në nivel të 60 përqindëshit në vitin e kaluar ndërsa këtë vit e kemi 57 %”, tha ai.

Sektori i mbeturinave

Edhe te kompania për menaxhimin e mbeturinave sipas ministrit Beqaj ka përmirësime në krahasim me vitin paraprak, sidomos ka përmirësim në nivel të inkasimit. Problemi themelor te kjo kompani nuk është menaxhimi por është mos inkasimi i cili vjen si rezultat i mosrespektimit të pagesave nga ana e komunave.

“Pra në buxhet ndahen këto mjete dhe ne kemi pasur kompani e cila ka qenë në gjendje të kolapsit për shkak se kësaj ndërmarrje i kanë borxh diku 3 milionë euro, duke filluar nga Komuna e Prishtinës dhe komunat e tjera. Dhe do të ishte jo korrekte komunat t’i marrin këto mjete nga buxheti dhe nuk ua paguajnë kompanive për shërbime publike”, tha ai.

Ministri vuri në pah se reduktimi në total i subvencionimeve nga viti 2010 në vitin 2011  është 26.5 %, pra këto mjete të taksapaguesve janë kursyer për shkak të performancës më të mirë të këtyre ndërmarrjeve në krahasim me vitin paraprak.

“Projektet kapitale të cilat ne i kemi instaluar në vitin 2011 janë në KOSTT, Hekurudhë, ujëra dhe mbeturina. Nga buxheti janë ndarë 12.3 milionë euro, pra na u është mundësuar t’i reduktojmë investimet kapitale për shkak se kanë NP-të kanë pasur performancë më të mirë, sikurse rasti i KEK-ut, nga investimet e veta bën 25 milionë euro investime, ndërsa subvencionimi i përgjithshëm e ka arritur nivelin prej 35 milionë euro (për të gjitha ndërmarrjet publike).

Duke sqaruar vonesën se pse raporti i vitit 2013 paraqitet në vitin 2013 e jo më herët, kreu i MZHE-së e ka arsyetuar me mungesën që ligji ka pasur sa i përket limiteve të auditimeve të jashtme për Ndërmarrjet Publike dhe Ministria nuk ka pas mundësi të hartojë Raportin e Performancës pa pasqyrat financiare.

“Ligjin të cilin e kemi iniciuar në vitin e kaluar dhe i cili është aprovuar tani është në fuqi, nuk u jep NP-ve më shumë afat se 30 maji për të bërë pasqyrat financiare, pra është një masë të cilën ne e kemi marrë për mos ardhur deri këtu, dhe ky është një veprim i drejtpërdrejtë që  MZHE e ka marrë dhe tani kemi një ligj që parasheh raporte të mëhershme, por edhe që rregullon edhe pagesat e bordeve”, tha ai.

Ministri Beqaj theksoi se me ligjin e ri, pagesat e Bordeve të NP-ve nuk mund të shkojnë mbi 50 % të shumës që paguhen, njëkohësisht janë marrë masa dhe gjatë këtyre ditëve do të publikohen rregulloret të cilat kanë të bëjnë me udhëtimet zyrtare të NP-së deri te përdorimi i automjeteve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)