Përfaqësuesit e bizneseve të kënaqur me masat e reja fiskale
Prishtinë, 4 janar - Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gerxhaliu, kryetarin e Odës Amerikane në Kosovë Arian Zeka si dhe kryetarin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës Astrit Panxha.
Ata diskutuan për implementimin e masave të reja fiskale të ndërmarra nga Ministria e Financave, e të cilat kanë filluar së implementuari nga 1 janari i këtij viti, si dhe për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë.
Gjatë takimit ministri i Financave Bedri Hamza tha se ashtu siç kam premtuar masat e reja fiskale për lirimin nga pagesa në dogana dhe lirimin nga akciza, janë bërë realitet nga një janari i këtij viti. Ato do të ndikojnë në krijimin e kushteve më të mira për prodhuesit vendor e sidomos në fuqizimin e sektorit privat.
Ministri Hamza i siguroi përfaqësuesit e bizneseve edhe njëherë se të gjitha vendimet e marra do të ekzekutohen dhe kërkoi mirëkuptim nga bizneset.
Ai gjithashtu shtoi se ne sot biseduam për këto ndryshime që do të ndodhin. Këto vendime që kanë të bëjnë me lirimin prej tatimit të doganës për lëndët e para pastaj vendimi për lirimin nga akciza për të gjitha lëndët djegëse të zhvillohen. Ju kërkova përfaqësuesve të bizneseve që të jenë pjesë e grupeve punuese me ekspertizat e tyre sepse i kanë të identifikuara tani më problemet dhe bashkë me ta t`i shtyjmë përpara reformat.
Gjithashtu, besoj që me përkrahjen e asociacioneve të bizneseve ne do t`i shtyjmë ato përpara dhe siç e dini, ne në fund të vitit 2017 kemi kaluar të gjitha masat që kanë të bëjnë për bizneset, ato janë në fuqi dhe presim që të zbatohen pa asnjë vështirësi.
Hamza lidhur me futjen e masës së re për kalimin e pagesës së TVSH-së nga kufiri në brendësi, tha se do të kërkojë reforma të shumta, mirëpo sipas tij do të lehtësoj shumë punën e bizneseve.
Ministri Hamza gjithashtu theksoi se sa i përket kalimit të pagesës së TVSH-së prej kufirit në brendësi, kjo është një reformë që kërkon ndryshim dhe është lehtësi e madhe për bizneset. Ne e dimë që të gjitha ndërmarrjet që importojnë janë të obliguara të paguajnë TVSH-në në kufi ende pa e shitur mallin dhe pastaj ata detyrohen që të marrin kredi në banka. Gjithashtu këto masa neve na ofrojnë - drejtojnë rreth integrimeve euroatlantike.
Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gerxhaliu duke falënderuar Ministrin Hamza për korrektësinë dhe gatishmërinë për të punuar së bashku tha se agjenda ekonomike nuk ka alternativ dhe po promovohet një pako e re për të bërë biznes në Kosovë.
Projeksionet buxhetore për vitin 2018, rritja e mbështetjes së sundimit të ligjit, në arsim dhe edukim dhe në IT janë të rëndësishme për ekonominë në vend. Po ashtu ne duhet të kuptojmë që emëruesi i përbashkët i zgjidhjes së të gjitha problemeve ekonomike në Kosovë është sundimi i rendit dhe ligjit.
Kurse, kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës Astrit Panxha tha se janë duke punuar në hartimin e një dokumenti i cili do t`i dorëzohet Ministrisë së Financave dhe i cili ka të bëjë me propozimin për stimulimin e eksportit.
“Për neve është shumë me rëndësi fillimi i këtyre masave, do të kemi lehtësira në importin e lëndës së parë, po ashtu lirimi edhe nga akciza që është shumë me rëndësi për rrjedhën e parasë për prodhuesit vendor. Besojmë që ka ende hapësirë për masa shtesë. Jemi duke punuar për një dokument për simulimin e eksportit. Çdo euro e kursyer për prodhuesit vendor do të thotë rritje në investim, e në këtë mënyrë edhe rritje të mirëqenies së qytetarëve”.
Ndërsa, kryetari i Odës Amerikane Arian Zeka tha se këto masa po tregojnë se në këtë vend së paku në aspektin e zhvillimeve ekonomike ka një vazhdimësi e që është një tregues i mirë për investitorët. Avancimi i mëtejmë i reformës fiskale që ka qenë një kërkesë e jona dhe zgjidhja e problemeve në ekonomi është sundimi i rendit dhe ligjit.