01 Maj 2024

Përcaktohen prioritetet në transport, mjedis dhe energji

Prishtinë, 25 mars - Gjatë një takimi dyditor ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Komisionit Evropian janë diskutuar një spektër i gjerë siç është kualiteti i ajrit, menaxhimi i mbeturinave, mbrojtja e ujërave, siguria në rrugë, zhvillimi i hekurudhave, efikasiteti i energjisë, siguria nukleare dhe decentralizimi.

Realizimi i konkludimeve të këtij takimi do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në progresin e Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe do të reflektohen në Raportin e Progresit për vitin 2011.

Takimi është organizuar në kuadër të kornizës së Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asocijimit (PSA), ku pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të shqyrtojnë progresin e Kosovës në zhvillimet legjislative dhe institucionale në fushat e lartpërmendura.

Sa i përket mjedisit, autoritetet e Kosovës kanë prezantuar planin e ligjeve të reja për këtë vit në fushën e ujërave dhe mbeturinave, për përmirësimin e performancës së organeve të ndryshme në këtë sektor dhe si rrjedhim edhe të kualitetit të menaxhimit të ujërave dhe mbeturinave.

Qeveria do të zgjerojë rrjetin e stacioneve për monitorimin e kualitetit të ajrit (të cilat janë financuar pjesërisht nga BE-ja) si pikë fillimi për përmirësimin e kualitetit të ajrit në Kosovë.

Tema të tjera që janë diskutuar ishin mënyra se si Kosova mund të kontribuojë në prioritetet mjedisore në mbarë BE siç është lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe konservimi i natyrës, ku kjo e fundit në bazë të ligjit të miratuar në Kosovë në vitin e kaluar.

Ministria e Mjedisit është ministria me nivelin më të ulët të shpenzimeve në Kosovë, mirëpo kjo fushë ka përfituar nga asistenca substanciale e BE-së dhe Komisioni do të vazhdojë me financimin e projekteve në këtë fushë për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. Megjithatë, Komisioni gjithashtu shprehu shqetësim lidhur me nivelin e ulët të financimit shtetëror për këtë sektor, gjë që paraqet pengesë të madhe për të avancuar në arritjen e përmirësimeve të nevojshme në cilësinë e ambientit.

Komisioni gjithashtu i bëri thirrje qeverisë që të prodhojë një vizion afat-gjatë lidhur me nevojat e investimeve dhe të personelit për të adresuar sfidat e mëdha mjedisore të Kosovës.

Në fushën e transportit, Komisioni vlerësoi Kosovën për punën e madhe dhe zhvillimet pozitive në implementimin e normave dhe standardeve të aviacionit, sa që në kuadër të Marrëveshjes për Zonën Evropiane të Aviacionit Civil, Kosova me gjasë do të jetë partneri i parë që përmbushë kërkesat për të marrë të drejta shtesë të transportit për dhe nga BE-ja.

jithashtu janë theksuar përmirësimet e arritura si rezultat i programit ambicioz të Kosovës për ndërtimin e rrugëve, edhe pse Komisioni ka shprehur shpresën se ky program nuk do të devijoj fondet e vlefshme nga investimet tjera vitale në transport: projektet tjera për ndërtimin e rrugëve, mirëmbajtjen e rrugëve, mirëpo edhe mënyrat tjera të transport, kryesisht hekurudhat.

Komisioni gjithashtu ftoi Kosovën që të punojë më shumë në uljen e shkallës së lartë të fatkeqësive dhe fataliteteve në rrugët e Kosovës. Komisioni gjithashtu nënvizoi përpjekjet e qeverisë lidhur me reformat në hekurudha.

Problemet e sektorit të energjisë në Kosovë janë të njohura për qytetarët e saj dhe diskutimet ishin të përqendruara në mënyrat se si reformat e përqendruara në BE mund të ndihmojnë për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt e në të njëjtën kohë duke zbutur koston mjedisore të sektorit të energjisë në Kosovë.

Gjatë dëgjimit në lidhje me ecurine e termocentralit të ri, të dy palët thanë se Kryeministri është zotuar që ta mbyllë termocentralin shumë ndotës “Kosova A” më së voni deri në vitin 2015.

Kosova gjithashtu ka prezantuar planet për promovimin e energjisë së ripërtërishme (siç është hidrocentrali “Zhur”) dhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë, që paraqet një fushë ku BE-ja tashmë ka bërë investime të mëdha në uljen e faturave të ndërtesave publike për energji, si dhe do të vazhdojë të bëj një gjë të tillë.

Komisioni ka ftuar Kosovën që të përmirësoj nivelin e arkëtimit për energji elektrike, sepse përderisa gjatë viteve të fundit ky nivel është rritur ngadalë, prapë mbetet në nivel të ulët deri në masë që të kërcënojë mirëqenien ekonomike të kompanisë energjetike, e mos të përmendim kontributin për rritje të paqëndrueshme të kërkesës për energji.

Në fund, gjatë diskutimit për zhvillim rajonal është marrë parasysh mënyra se si Kosova implementon programin e saj të decentralizmit të pushtetit dhe kompetencave në komuna.  Si në rastin e bartjes ligjore, në mënyrë që decentralizimi të funksionoj për qytetarët e Kosovës, komunat duhet të kenë kapacitet për të marrë përsipër përgjegjësitë e reja.  

BE-ja ka ndihmuar në zhvillimin e këtyre kapaciteteve si dhe për promovimin e zhvillimit ekonomik dhe të projekteve në nivel komunal ose rajonal.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)