Për zonat e lira ekonomike të merret shembull Turqia
Albulena S. Mavraj
Prishtinë, 24 mars - Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se krijimi i Zonës së Lirë Ekonomike në dy komunat e Kosovës, Mitrovicë dhe Gjakovë, është një ndër vendimet më të qëlluara të Qeverisë së Kosovës por, sipas tij, krijimi i këtyre zonave ka qenë kërkesë e kahershme edhe e komitetit të biznesit.
Ai ka deklaruar se krahas aspektit ligjor dhe përcaktimit të kritereve duhet të punohet në marketingun promovues për këto zona dhe atëherë, sipas tij, me siguri do të ketë efekte pozitive.
Besoj se nëse përdoret një kampanjë promovuese dhe një marketing agresiv për ti promovuar këto zona atëherë këto do të jenë atraktive jo vetëm për komunitetin e biznesit vendor, por edhe për investimet e përbashkëta me partnerë të huaj, ka deklaruar Gërxhaliu.
Ai në këtë bisedë për gazetën Epoka e re ka deklaruar se krijimi i Zonave të Lira Ekonomike nuk duhet të mbetet vetëm vendim.
Krijimi i këtyre zonave në Mitrovicë dhe Gjakovë është i një rëndësie të veçantë, mirëpo ajo çfarë na brengos si Odë Ekonomike është fakti se nuk duhet të mbetet vetëm vendim, por duhet të përcaktohen kriteret dhe kushtet të cilat duhet të plotësohen për bizneset, të cilat duhet të jenë pjesë e këtyre zonave, në mënyrë që ato vërtet ta kenë atë efektivitetin e pritur në këto dy komuna. Në qoftë se këto zona ekonomike në këto dy komuna do të kenë suksese, atëherë do të krijohen edhe zona të tjera në qendrat e Kosovës, ka thënë ai.
Gërxhaliu ka shtuar se krijimi i Zonave të Lira Ekonomike në vende të ndryshme ka dhënë efekte të pritura pozitive jo vetëm në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi, por edhe në vendet e ndryshme evropiane. Zonat e Lira Ekonomike kanë qenë bartëse të zhvillimit ekonomik në vende të ndryshme, nëpërmjet krijimit të vendeve të reja të punës, përmirësimit të bilancit të pagesave, mundësive të mira për investime si dhe orientimeve në prodhim, është shprehur Gërxhaliu.
Sipas Gërxhaliut, Kosova duhet ta ndjekë shembullin e Turqisë për Zonat e Lira Ekonomike.
Krijimi i zonave të lira ekonomike në komunat e ndryshme të Turqisë, qoftë në Bursa, Izmir, Aganam, Kajder, janë bartëse të zhvillimit ekonomik atje. Mendoj se këto modele duhet të barten në Kosovë, sepse qëllimi kryesor është të rriten mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik, ka deklaruar ai.
Mirëpo sa i përket gatishmërisë së Kosovës për ambientin e të bërit biznes, Gërxhaliu ka deklaruar se, për fat të keq, ky vit kalendarik është vit i stërngarkuar me probleme politike dhe agjendë politike dhe, sipas tij, në njëfarë forme ekonomia është lënë anash.
Ajo çfarë duhet bërë në mënyrë urgjente është të kthehemi drejt ekonomisë dhe, në qoftë se mendohet në ekonomi, atëherë duhet mbështetur sektori privat, në veçanti bizneset vendore dhe në qoftë se do të kishim mbështetjen çfarë e meriton komuniteti i biznesit, atëherë do të përmirësohej ambienti dhe do të ketë atraktivitet për investitorët e huaj, ka potencuar Gërxhaliu.
Ai ka thënë se këto Zona të Lira Ekonomike duhet të jenë koherente ose në një ujdi edhe me nevojat e fuqisë punëtore. Sipas Gërxhaliut, në Kosovë ka mungesë të edukimit selektiv.
Për fat të keq, kemi shumë më tepër edukim masiv sesa selektiv, andaj në këtë drejtim duhet të bëhet një reformë që, krahas studimeve universitare, të kemi edhe aftësim profesional dhe në këtë drejtim sa më nëpër që të kemi kuadro të një sektori të caktuar - të themi në IT, në përpunim të metaleve ose të drurit apo edhe në shërbimet e tjera, aq më i madh do të jetë atraktiviteti për investitorët e huaj që tia mësyjnë Kosovës, është shprehur Gërxhaliu, duke shtuar se duhet të jemi të orientuar kah aftësimi profesional dhe atëherë do të jemi ndoshta më atraktivë për investitorët e huaj dhe sa më aktivë të jemi në sektorët e caktuar, aq do të jemi atraktivë për sektorët e caktuar që të vijnë në Kosovë.
Ndërkaq sa i përket Parkut të Drenasit, Gërxhaliu ka deklaruar se ky park është një storie tjetër dhe nuk duhet të analizohet nga dimensioni kohor dhe peripecitë nëpër të cilat ka kaluar.
Tani ky park e ka marrë pamjen e vet dhe duhet të mbështetet si një park, i cili me siguri ka vlerën e vet qoftë të imazhit, qoftë ekonomik. Në shekullin e ekonomisë i shpejti depërton dhe në këtë drejtim duhet vërtet që këto Zona të Lira Ekonomike të jenë në funksion të biznesit dhe të ekonomisë sa më shpjet që është e mundur, ka thënë Gëxhaliu. Ai ka shtuar se me nivelin e investitorëve të huaj nuk ka vend për tu ndjerë të kënaqur, kur dihet se çfarë kampanja promovuese janë duke përdorur vendet e rajonit.
Për investitorët e huaj duhet bërë më tepër, pasi për momentin nuk kemi ambient të kënaqshëm, i cili është në funksion të tërheqjes së tyre, është shprehur ai.