Për tre muaj, 600 mijë euro të sekuestruara
Ndërsa, vetëm asetet e konfiskuar gjatë kësaj periudhe kohore kapin shifrën prej 338 mijë e 417 eurosh.
Kështu është bërë e ditur gjatë raportimit të Koordinatorit kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike, të bërë para Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Edhe pse shifrat në sekuestrimin e aseteve, të cilat dyshohen që janë fituar nga veprat e kundërligjshme, vlerësohen të jenë të larta, por ajo që mbetet shqetësim kryesor për Prokurorinë e Shtetit mbetet konfiskimi përfundimtar i këtyre aseteve nga ana e gjykatave.
Gjatë raportimit të Koordinatorit kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike, Shqipdon Fazliu, ka thënë se prokurorët nuk janë duke vepruar dhe nuk po kërkojnë shitjen e aseteve të konfiskuara duke bërë kështu që të ketë hezitim për shitjen e këtyre aseteve e të cilave është duke iu rënë vlera çdo ditë e më shumë.
Vetëm gjatë vitit të kaluar kemi pasur sekuestrime në vlerë prej miliona eurove, por sekuestrimi është vetëm një fazë kalimtare dhe Komisioni Evropian është i fokusuar në rezultatet konkrete të konfiskimit përfundimtar të këtyre aseteve.\"
\"Problem kryesor përbën shitja e aseteve, të cilat janë në depot e Agjencisë për Sekuestrim dhe Konfiskim. Veturat të cilat janë të sekuestruar dhe të konfiskuara kanë filluar të prishen dhe vlera e tyre është duke u devalvuar çdo ditë e më shumë, ndërsa prokurorët nuk po veprojnë dhe nuk po i bëjnë kërkesat e këtyre veturave, edhe pse ka një vendim nga gjykatat. Të ne hezitohet që të shiten asetet e konfiskuara dhe për mua si koordinator kjo gjë nuk ka asnjë justifikim, ka thënë Fazliu.
Sipas tij, lëshime të mëdha janë bërë nga ana e prokurorëve në lidhje me konfiskimin e objekteve, të cilat kanë të bëjnë me veprën penale Të narkotikëve, ku në disa raste nuk është kërkuara as konfiskimi i mjeteve me të cilat janë kryer këto vepra penale.
Ai po ashtu ka thënë se gjatë tërë vitit 2015 janë konfiskuar gjithsej 70 mijë euro, ndërsa, sipas tij, vetëm gjatë tremujorëve të parë të këtij viti janë konfiskuar asete në vlerë prej më shumë se 350 mijë eurosh.
Gjatë mbledhjes së KPK-së është aprovuar edhe kërkesa e buxhetit për vitin 2017, ku dhe është kërkuar buxhet shtesë për sistemin prokurorial.
Në total kërkesa buxhetore është e hartuar në shumën prej 12 milionë e 972 mijë eurosh, e cila do ti dërgohet Ministrisë së Financave dhe Kuvendit të Kosovës. Sipas anëtarëve të Këshillit Prokurorial kjo kërkesë është në përputhje me nevojat të cilat i ka ky sistem, duke filluar nga ndërtimi i infrastrukturës, rekrutimi i prokurorëve të rinj, nevojat për personel shtesë dhe ngritja e kapaciteteve profesionale të sistemit prokurorial, etj.
Ndërsa kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se kjo kërkesë buxhetore është e harmonizuar me nevojat e sistemit prokurorial.
Ai ka thënë se duhet të bëhet një planifikim i mirëfilltë sa i përket krijimit të një infrastrukture më të mirë, ku ka kërkuar që të formohet një komision brenda KPK-së, i cili do të takohet me kryetarin e Prishtinës për të siguruar një parcelë për ndërtimin e objektit të ri të Prokurorisë së Shtetit, në të cilën do të jenë Prokuroria Speciale dhe Këshilli Prokurorial.
Gjatë kësaj mbledhjeje të KPK-së janë votuar edhe një sërë pikash që kanë të bëjnë me avancimin dhe transferimin e prokurorëve, caktimi i Sekretariatit të Komisionit për Çështje Normative, pagesën e sekretarëve të komisioneve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, etj.
/Zëri/