Për OSHP-në duhet vullnet politik
Prishtinë, 21 mars - Njohës të fushave të integrimeve dhe të çështjeve ekonomike kanë thënë se për ta luftuar dukurinë e korrupsionit në OSHP duhet vullnet politik pasi, sipas tyre, praktikat e deritashme të menaxhimit nga ekspertë ndërkombëtarë nuk janë treguar të suksesshme si në rastin e AKP-se dhe në atë të OSHP-së.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në mënyrë që të rritet transparenca dhe të ulet niveli i korrupsionit në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), ka paraqitur idenë e menaxhimit të këtij institucioni nga kompania ndërkombëtare me ekspertë ndërkombëtarë. Por, ideja e tij, sipas njohësve të çështjeve të integrimeve evropiane dhe ekonomike, nuk mund të jetë e suksesshme nëse nuk ka vullnet politik.
Ata kanë thënë për gazetën Epoka e re,se praktikat e deritashme nuk kanë rezultuar të suksesshme në rastet kur institucionet e Kosovës janë menaxhuar nga ekspertët ndërkombëtarë.
Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit javën e kaluar, ka paraqitur idenë që në një fazë të mëvonshme në OSHP të angazhohet një kompani ndërkombëtare me ekspertë ndërkombëtarë, si një mundësi për forcimin e këtij sektori dhe përmirësimin e imazhit që e përcjell Kosovën në këtë fushë.
Kemi një ofrim me partnerët tanë ndërkombëtarë që për një kohë të caktuar ky bord të udhëhiqet nga një kompani profesionale në mënyrë që edhe ne si Kosovë të kemi një hapësirë për një gjykim, i cili do të jetë i paanshëm, në të njëjtën kohë do të përmirësohet imazhi i këtij sektori. Do ta bëjmë një zgjidhje, e cila do të jetë e përkohshme, ka thënë Veseli, duke shtuar se kjo ka qenë ideja e tij. Ai ka bërë me dije se për këtë ide ka zhvilluar diskutime me kryeministrin e Kosovës dhe partnerët relevantë ndërkombëtarë.
Emërimi i anëtarëve dhe funksionalizimi i OSHP-së ka qenë ndër kriteret e fundit në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Njohësi i Integrimeve Evropiane, Avni Mazreku, ka thënë se institucionet e Kosovës duhet ta gjejnë zgjidhjen për OSHP-në në bazë të Ligjit për Prokurimin Publik, përkatësisht Nenit 129 të Ligjit për Prokurimin Publik, i cili saktëson qartë se njëri nga kushtet kryesore që ka të bëjë me prokurimin publik është prokurimi elektronik. Sipas tij, institucionet e Kosovës ende nuk kanë treguar gatishmëri për ta implementuar këtë pjesë të këtij ligji. Mendoj se çështja e prokurimit publik në përgjithësi nuk mund të zgjidhet pa pasur vullnet politik, sepse ne e dimë se çfarë ka ndodhur në prokurimin publik. Kjo ka ardhur si rezultat i apetiteve politike, përkatësisht njerëzve, të cilët kanë realizuar interesa të caktuara. Çështja e prokurimit publik mund të zgjidhet vetëm me vullnetin politik për ti luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në këtë sektor, ka deklaruar Mazreku për gazetën Epoka e re.
Kurse sa i përket idesë që OSHP-ja të menaxhohet nga kompani dhe ekspertë ndërkombëtarë, Mazreku ka thënë se përvoja e deritashme nuk ka dëshmuar se ekspertët ndërkombëtarë kanë shënuar hapa pozitivë në institucionet e Kosovës drejt zhdukjes së korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Madje ai si rast konkret ka përmendur Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Kosova realisht ka pasur mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë të pranishëm. E kemi pasur rastin e Agjencisë së Privatizimit, e cila është udhëhequr ekskluzivisht nga ndërkombëtarët, por shkalla e korrupsionit në këtë agjenci ka qenë mjaft e lartë.
Një pjesë e konsiderueshme e privatizimeve që kanë ndodhur në Kosovë, nën administrimin ndërkombëtar, kanë pasur shkallë të lartë të korrupsionit dhe jo ligjshmëri dhe rregullueshmëri në procesin e privatizimit. Pra, Kosova ka pasur mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë që kanë udhëhequr sektorë të ndryshëm që nga paslufta për një periudhë bukur të gjatë, mirëpo efektet e këtij administrimi nuk janë vërejtur, për mos të thënë kanë pasur kthim prapa, ka deklaruar Mazreku, duke shtuar se ideja e pasjes së një grupi të ekspertëve ndërkombëtarë nuk është e keqe dhe duhet të konsiderohet shumë seriozisht. Megjithatë, çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën duhet të jenë produkt i vullnetit politik të njerëzve të Kosovës. Prandaj në qoftë se mendohet të importohen zgjidhjet për problemet, të cilat ne i kemi nga jashtë, ne duhet ta manifestojmë dhe një gatishmëri për të importuar institucione stabile.
Zgjidhja e problemit të prokurimit në Kosovë duhet të bëhet në bazë të ligjit. Deri më tani ka munguar vullnetit politik, prandaj vetë klasa politike aktuale në Kosovë duhet të manifestojë gatishmëri dhe vullnet politik për të gjetur zgjidhje, të cilat janë të mira për perspektivën e vendimit, është shprehur Mazreku. Po ashtu, edhe njohësi i çështjeve ekonomike në vend, Xhevat Meha, ka thënë se për ta luftuar korrupsionin duhet pasur vullnet politik, ndërkaq mundësinë e menaxhimit të OSHP-së nga ana e ndërkombëtarëve e ka vlerësuar si dorëzim të vendësve për tu përballur me këtë problem. Ideja për të angazhuar ekspertë ndërkombëtarë që ti udhëheqin institucionet e Kosovës është dorëzim para mundësisë për të punuar vetë dhe kjo nuk është zgjidhje, pasi edhe në OSHP kanë qenë ndërkombëtarët, të cilët e kanë bërë trajtimin e stafit vendës dhe më pas ua kanë lëshuar kompetencat. Inkuadrimi i ndërkombëtarëve në OSHP mund të jetë një zgjidhje e përkohshme, sepse në Kosovë ka njerëz të profesionalizuar, por në krye janë njerëz të papërgjegjshëm, ka thënë Meha.