Për 12 vjet kosovarët kanë marrë 8.1 miliardë euro kredi
Prishtinë, 17 janar - Rritja e profitit të bankave në dy vjetët e fundit është bërë si rezultat i zvogëlimit të shpenzimeve të interesit, si dhe zvogëlimit të shpenzimeve për provizione.
Kështu ka thënë në një intervistë për \"Koha Ditore\", guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza.
Por, ai ka paralajmëruar se shumë shpejt bankat do të kenë nevojë për depozita shtesë dhe mund të pritet rritja e interesit në depozita.
Sipas tij, niveli i interesit në depozita varet nga shumë faktorë dhe nuk mund të kontrollohet e as të rregullohet nga Banka Qendrore e Kosovës, shkruan sot \"Koha Ditore\".
Bankat kanë lëshuar 8.1 miliardë euro kredi që nga viti 2001. Këto kredi, sipas tij, e kanë ndihmuar biznesin që të zhvillohet, ndërsa ka thënë se i takon Autoritetit të Konkurrencës që të hetojë nëse ka marrëveshje të fshehta e të kundërligjshme në mes bankave për të rritur çmimin e shërbimeve.
/Koha Ditore/