Pensionistët kërkojnë miratimin e Ligjit për pensionet
Prishtinë, 15 mars - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim përfaqësuesit e Bashkimit të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Republikës së Kosovës, në përbërje: Ramë Alihajdaraj, Shaban Kajtazi, Hasan Berisha dhe Shefqet Mustafa.
Me këtë rast u bisedua rreth pozitës sociale të pensionistëve, për nivelin e ulët të mbështetjes financiare nga Buxheti i Kosovës, si dhe për Ligjin për pensionet.
Ky delegacion ngriti shqetësimin për përmbajtjen e Projektligjit për pensionet, i cili ende nuk është dorëzuar nga sponzoruesi në Kuvend, duke kërkuar që të dëgjohet zëri i tyre gjatë shqyrtimit të këtij Projektligji në komisionet përkatëse të Kuvendit.
Kryekuvendari Krasniqi u premtoi përfaqësuesve të pensionistëve se atyre do tiu mundësohet pjesëmarrja në mbledhjet e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, në seancat e dëgjimeve publike dhe në gjithë fazën e amendamentimit të Projektligjit për pensionet.
Kreu i legjislativit garantoi këtë delegacion se vërejtjet e tyre do të merren parasysh para miratimit përfundimtar të Projektligjit.