19 Nëntor 2024

PE hedh një hap drejt krijimit të unionit bankar në Evropë

Bruksel, 14 shtator - Parlamenti Europian (PE) me shumicë votash ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt krijimit të unionit bankar në Evropë.

Në bazë vendimit të marrë dje nga PE, kontrolli i sistemit bankar në vendet evropiane do të kryhet nga Banka Qendrore Europiane (BQE).

BQE me qendër në Frankfurt të Gjermanisë, do të përcaktojë politikat bankare dhe valutore të 17 vendeve anëtare në eurozonë.

Në eurozonë operojnë rreth 6 mijë banka dhe institucione financiare, mirëpo BQE do të kontrollojë ato banka dhe institucione financiare të cilat kanë më shumë se 30 miliard euro depozita, ose i gjithë kapitali i tyre është i barabartë ose më shumë se 20% e PBB të vendit ku operon.

Procesi për kontrollimin e këtyre bankave do të nisë vitin e ardhshëm. Faza e parë do të nisë me kontrollimin e 130 bankave të cilat posedojnë 80% të kapitalit bankar në eurozonë.

PE duke i dhënë kompetenca BQE që të kontrollojë bankat e tjera në eurozonë, pret që përpilohen politika të njëjta për të gjitha vendet anëtare me qëllim që në fund të fundit të eliminohet kriza e borxheve në Evropë.

Bankat konsiderohen si pika më e dobët e Evropës dhe sidomos e anëtarëve të eurozonës. Borxhet e bankave dhe luhatja e vazhdueshme në punën e tyre i ka detyruar shumë qeveri evropiane që një pjesë të mirë të kapacitetit të tyre monetar dhe financiar për përballimin e krizës, ta shfrytëzojnë për të ndihmuar bankat e tyre.

Kontrollimi qendror i bankave, është një rrugëzgjidhje për parandalimin e krizës katastrofike bankare në Evropë. Kriza e borxheve në Evropë ka inkurajuar shumë politikanë dhe qeveritare që të përqendrohen në administrimin e përbashkët dhe kontrollin qendror.

Hoze Manuel Baroso, kryetari i Komisionit Evropian, vitin e kaluar ka kërkuar krijimin e unionit bankar dhe përcaktimin e buxhetit të BE.

Kristine Lagarde, kryetarja e FMN gjithashtu nga BE ka kërkuar të krijojë një organ më funksional bankar siç është unioni bankar me qëllim që të rikthehet besimi rajonal dhe botëror tek bankat evropiane.

Plani për krijimin e unionit bankar është i bazuar në 3 parime dhe faza. Faza e parë është përcaktimi i një organi për monitorimin dhe kontrollimin e bankave.

Kjo fazë u realizua me votën e PE i cili kompetencat e monitorimit dhe kontrollit bankar ia ka dhënë BQE. Faza e dytë konsiston në mbylljen e atyre bankave të cilat përballen me probleme tepër të madha.

Ndërsa në fazën e tretë është theksuar në krijimin e një sistemi të përbashkët për të garantuar rezervat valutore të bankave. Edhe pse të tre fazat mundësojnë krijimin e unionit bankar, janë të shumtë ato vende anëtare që nuk përputhen me këtë ide.

 Disa vende anëtare të BE, si Polonia dhe Çekia janë kundër ndërhyrjes së BQE në administrimin e bankave të vendit të tyre. Krerët e këtyre vendeve shprehen se ndryshimet administrative në sistemet bankare të vendeve të BE, nuk lejon që administrimi i përbashkët bankar të arrijë rezultatin e duhur.

Një prej kundërshtarëve serioz të krijimit të unionit bankar të BE është Anglia e cila duke kundërshtuar monedhën euro, vazhdon të ruajë pavarësinë në përpilimin e politikave, zbatimin dhe kontrollimin e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)