08 Nëntor 2024

Pasanikët nëpër banesat sociale të Prishtinës

Prishtinë, 10 shkurt - Gazeta JnK ka analizuar pasurinë e personave që kanë përfituar banesa nga pushteti i kaluar i Komunës së Prishtinës. Ata kanë deklaruar pasur deri në gjysmë milioni euro, ndërkohë që kanë qëndruar me qira për vite të tëra në banesat e Komunës së Prishtinës.

Personat që për vite të tëra kanë qëndruar nëpër banesat e Kuvendit Komunal të Prishtinës duke paguar një qira simbolike nuk janë raste sociale. Ata që kanë përfituar nga shpërndarja e banesave kanë pasur poste të rëndësishme në Komunën e Prishtinës.

Në mesin e personave që kanë përfituar janë edhe drejtorë të LDK-së në Komunën e Prishtinës si Muhamet Gashi, Halim Halimi, Agim Dibrani, Sabedin Haxhiu dhe asamblisti i PDK-së Shemsi Veseli e të tjerë.

Ata janë përmendur nga drejtori i Pronës në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj dje në një konferencë për media si raste të cilat kanë përfituar padrejtësisht nga shpërndarja e banesave nga qeverisja e kaluar.

Komuna e Prishtinës, sipas Kukajt, nuk do t’ua vazhdojë kontratat e qirasë këtyre personave. Ai ka deklaruar se do të rishqyrtohen të gjitha rastet e tjera që kanë përfituar, në mënyrë që “në dhënien e ardhshme për shfrytëzim të këtyre banesave të përfitojnë ata që vërtetë kanë nevojë”.

Kukaj ka thënë se deri më tani për banesa kanë aplikuar 330 familje, ndërkohë që janë vetëm 50 banesa në dispozicion për t’u shpërndarë për rastet sociale.

Gazeta JnK ka analizuar pasurinë e personave që kanë përfituar banesa nga pushteti i kaluar i Komunës së Prishtinës. Ata kanë deklaruar pasur deri në gjysmë milioni euro, ndërkohë që kanë qëndruar me qira për vite të tëra në banesat e Komunës së Prishtinës.

Muhamet Gashi, ish drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, aktualisht ka një banesë prej 84 metra katrorëtë marrë me qira nga Komuna e Prishtinës. Atë e ka marrë në vitin 2009, në kohën kur ishte drejtor në këtë komunë nën qeverisjen e Isa Mustafës.

Ai posedon edhe një banesë tjetër prej 60 metra katrorë, të cilën e ka vlerësuar me 70 mijë euro. Po ashtu ka të deklaruar edhe njështëpi me truall prej 80 mijë euro, male 150 mijë euro dhe tokë në vlerë prej 200 mijë euro. Muhamet Gashi këtë pasuri e kishte deklaruar  në Agjencinë Kundër Korrupsionit gjatë kohës sa ishte drejtor i Komunës në vitin 2012.

Këshilltari Politik i Ministrit të Financave dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Ekonomi dhe Zhvillim Lokal, Agim Dibrani, është përfituesi tjetër i këtyre banesave sociale në kohën e qeverisjes së komunës nga Isa Mustafa.

Dibrani deklaroi pasurinë e tij më 2016. Ai ka deklaruar një pasuri në vlerë prej 185 mijë euro, ku përfshihet  një shtëpi 100 mijë euro, tokë 75 mijë euro, dhe male në vlerë prej 10 mijë euro. Ai ka deklaruar të hyra vjetore prej rreth 8 mijë euro nga paga e tij dhe e bashkëshortes.

Halim Halimi, Kryesues i Kuvendit të Prishtinës, posedon pasuri të paluajtshme tokë dhe male në vlerë prej 10 mijë euro. Këtë pasuri Halimi e deklaroi më 2016 në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Nga pasuria e luajtshme, Halimi posedon veturë në vlerë prej 6 mijë euro, por e cila është në pronësi të fëmijëve të tij. Halimitë mërkurën deklaroi për KALLXO.com, që nuk del nga banesa e tij sociale “vetëm nëse na largojnë zvarrë”.

Shemsi Veseli, këshilltar i Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e PDK-së, në AKK, më 2016 ka deklaruar pasurinë e tij të paluajtshme në vlerë prej 320 mijë euro. Ka deklaruar shtëpi me vlerë 110 mijë euro dhe tokë me vlerë 210 mijë euro.

Në deklarimin e pasurisë të Shemsi Veselit është edhe banesa e cila është pronë e Komunës së Prishtinës të cilën ai e ka në shfrytëzim.

“Qe gati 9 vite jam duke banuar në një banesë 83 metra katrorë, pronë e Kuvendit Komunal të Prishtinës, të cilën me vendim të Kuvendit Komunal e kam në shfrytëzim për 10 vite me mundësi vazhdimi, dhe i paguaj qera Komunës së Prishtinës”, thuhet në deklarimin e pasurisë së Shemsi Veselit.

Te pasuritë e luajtshme, këshilltari i Kuvendit Komunal të Prishtinës ka të deklaruar një veturë me vlerë 4.500 euro dhe stoli ari dhe argjendi me vlerë 10 mijë euro që janë të deklaruara në pronësi të bashkëshortes.

Në total të hyrat vjetore të Shemsi Veselit janë 22.936 euro ku përfshihen paga e tij vjetorë tek Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), mëditje nga Bordi Drejtues i ShSKUK-së, mëditje nga Kuvendi Komunal i Prishtinës dhe poashtu mëditje nga Sh.L.P Qeap Heimerer dhe të hyrat vjetore të bashkëshortes së tij nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës.

/ KALLXO.com/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)