Partneriteti me Japoninë garancë për zhvillim ekonomik në Kosovë
Prishtinë, 4 prill - Kryetari i Odës Ekonomike te Kosovës Safet Gerxhaliu takoi sot Sekretaren e Ambasadës Japoneze në Lublanë znj. Chie Oshima me të cilën bisedoi rreth zhvillimeve aktuale Ekonomike në Kosovë si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme në mes të Republikës së Kosovës dhe Japonisë.
Japonia është një ndër shtetet që ka përkrahur proceset ekonomike, politike, sociale, kulturore, shëndetësore prandaj jemi mirënjohës për ketë kontribut si dhe jemi të mendimit se bashkëpunimi ekonomik tani duhet të zë pozitë të lartë në agjendat ndërshtetërore të të dyja vendeve mike.
Japonia është një mundësi e cila duhet të shfrytëzohet nga ana kosovare sidomos ne aspektin e ngritjes së kapaciteteve prodhuese, transferin e teknologjisë, telekomunikacion, know- how, turizëm, inovacione e në veçanti në edukim të nivelit dhe të standardeve ndërkombëtare. theksoi Kryetari Gerxhaliu.
znj. Chie Oshima falënderoi Kryetarin z. Gerxhaliu për respektin e treguar dhe për gatishmërinë për bashkëpunim duke theksuar se Qeveria Japoneze është e gatshme që edhe më tutje të vazhdojë mbështetjen e proceseve zhvillimore në Kosovë dhe në të njëjtën koheë nga Ambasada e tyre dëshiron të promovojë të vërtetën rreth Kosovës me qëllim të përmirësimit të imazhit si dhe inkurajimin e biznesmenëve japonez për ta konsideruar Kosovën si një treg potencial.
Në takim u cek edhe rëndësia e këmbimit të informacioneve të karakterit ekonomik si dhe mundësia e organizimit të vizitave të delegacioneve biznesore nga Japonia në Kosovë me qëllim të krijimit të bindjes se në Kosovë është më mirë se sa mendohet dhe flitet nga jashtë dhe se Kosova ofron mundësi në sektorë të shumtë për partneritet.
Me ketë mendim u pajtuan që të dyja palët dhe u zotuan se së shpejti do të fillojnë përgatitjet për misione te tilla të cilat do ta forcojnë bashkëpunimin ekonomik në mes te dyja vendeve mike.