Partneriteti ekonomik Kosovë - Mali i Zi mundësi e tërheqjes së investimeve
Prishtinë, 25 mars - Jemi të vetëdijshëm se dialogu dhe partneriteti me vendet e rajonit është më se i nevojshëm nga dimensioni kohor sepse reflekton në zhvillim ekonomik, në stabilitet social, përshpejtim të proceseve integruese të rajonit dhe në veçanti për fillimin e promovimit të rajonit me qëllim të shfrytëzimit të mundësive që ofron për tërheqjen e investorëve të huaj.
Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike e Malit të Zi e shohin bashkëpunimin dhe partneritetin e fuqishëm si mundësi për të mbështetur të dyja sektorët private dhe kjo formë e bashkëpunimit duhet të jetë model edhe për vendet dhe institucionet tjera, theksoi Kryetari i OEK-ut z. Safet Gërxhaliu me rastin e pritjes së një delegacioni nga Oda Ekonomike e Malit të Zi udhëhequr nga z. Pavle Radovanovic Sekretar Gjeneral pran këtij institucioni.
Radovanovic theksoi se jemi sot në vizitë në Oden Ekonomike të Kosovës me qëllim të avancimit të bashkëpunimit reciprok dhe me projekte konkrete.
Forma e bashkëpunimit modern karakterizohet me këmbim tëinformacioneve, këmbim të misioneve tregtare, qasje në tregje të treta në formë të përbashkët dhe aplikim në projekte të përbashkëta të cilat do të financohen nga Donatorë të ndryshëm me qëllim të rritjes së kapaciteteve profesionale te të dy institucioneve, forcimit të sektorit privat, tërheqjen e investimeve dhe në funksion të përshpejtimit të proceseve integruese në mbar rajonin.