06 Nëntor 2024

Partneriteti ekonomik Kosovë-Gjermani i rëndësishëm për vendin

Prishtinë, 17 janar - “Jo se ne nuk e kemi ndjerë rëndësinë e ekonomisë në të kaluarën por se tash mendoj që e kemi mundësinë më të madhe kohore dhe shumë arsyeve tjera që t’i fokusohemi ekonomisë, ndoshta edhe informatat i kemi më të mira. Si qeveri e re i kemi kuptuar temat dhe mundësitë që i ka vendi”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin ‘Business talks’, të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermane në bashkëpunim me Konrad Adenauer Stiftung, ku të pranishëm ishin ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, investitorë gjermanë dhe sipërmarrës nga vendi.

Me këtë rast, kryeministri e vlerësoi si një mundësi të mirë që sot të bashkëbisedohet për atë që u intereson të gjithëve zhvillimi ekonomik, duke thënë se këtë vit e kanë vlerësuar si vit, ku fokusimi i tyre do të jetë në ekonomi.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj tha se tanimë është dakorduar se rritja ekonomike do të shkojë rreth 4.3 për qind në Kosovë që është e respektuar edhe në rajon edhe është e lartë krahasuar me trendet e mëhershme po ashtu.

“Në Kosovë evidencat flasin se 347 mijë e 550 persona janë të punësuar. Një pjesë në sektor publik, por pjesë më e madhe në sektor privat, rreth dy për qind më shumë se një vit më përpara me statistika. Po ashtu, bruto prodhimi vendor është 6 miliardë e 761 milionë euro, por 30 për qind janë të lidhura me investimet kapitale. Investimet në sektorin privat janë 1.43 miliardë euro, në atë publik si investime kapitale janë 536 milionë, dhe plot numra tjerë flasin për një Kosovë stabile. Kemi dhe përmirësim në të bërit biznes dhe ligjet e reja tatimore që iu mundësojnë kompanive të paguajnë në tatime sipas profitit, e shumë të tjera”, theksoi Kryeministri Haradinaj gjatë bashkëbisedimit të tij me të pranishmit.

 

Disa lajme tjera të mira siç theksoi kryeministri Haradinaj, janë pakoja ligjore që e ndihmon forcimin e ligjit, por e arritur e madhe është edhe Parku Inovativ Trajnues në Prizren, që po e vlerësojmë si Ambasadën ekonomike gjermane në vend dhe një adresë e fuqizimit ekonomik të vendit.

“Ky është shembulli më i mirë i Qeverisë së vendit sepse sot e kemi një infrastrukturë që është mbi 40 milionë euro që është bërë nga Qeveria gjermane. Ne kemi marrë vendim që të investohen 11 milionë euro deri në vitin 2021, një tjetër lajm i mirë është se një kompani gjermane që është në konsorcium edhe me palë tjera është e parakualifikuar në bazë të vlerësimit të Ministrisë së Tregtisë dhe procesi është i gatshëm që të lajmërohet investitori i parë me investime strategjike në energji me erë”, tha kryeministri Haradinaj.

Nora Hasani, Drejtoreshë menaxhuese në Odën Ekonomike Gjermane-Kosovare, në emër të këtij institucioni, tha se ndihet e privilegjuar që është nikoqire e Kryeministrit Haradinaj, duke vlerësuar se është kënaqësi dhe nder që sot po e fillojnë një seri të takimeve ‘Business talks’, që përputhen me vitin e ekonomisë të shpallur nga kryeministri Haradinaj,  platformë kjo që do ta fuqizojë dialogun ndërmjet sektorit privat dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, Granit Tërnava, menaxher i Programit në Konrad Adenauer Stiftung, vlerësoi se nxitja e zhvillimit ekonomik, promovimi i modelit të ekonomisë sociale të tregut dhe përgjithësisht të vlerave të qendrës së djathtë janë në fokus të tyre dhe sipas tij kjo gjë është forcuar më shumë gjatë tri viteve të fundit përmes aktiviteteve të ndryshme që kanë pasur në fokus ekonominë dhe nxitjen e investimeve të huaja në vend.

Në këtë takim, Kryeministri Haradinaj ka bashkëbiseduar me shumë investitorë dhe sipërmarrës nga vendi dhe të huaj, nga të cilët ka marrë përvojat e punës në Kosovë dhe sfidat me të cilat po ballafaqohen ata në të bërit biznes në vend.

Duke u përgjigjur shumë pyetjeve të tyre, Kryeministri Haradinaj tha se Kosova ende përballet me shumë sfida të cilat, me vëmendjen e Qeverisë po synojnë t’i kthejnë në rezultate pune dhe suksesi në vend.

 
 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)