Partitë shpenzojnë mijëra euro për reklama në gazeta, tv e portale
Fokus i këtij monitorimi ka qenë fushata e partive politike në media, duke përfshirë televizionet, portalet dhe gazetat. Në ndërkohë këto dy organizata do të bëjnë publikimin e të gjeturave edhe nga terreni për tubime dhe materialet zgjedhore.
Të gjeturat përfshijnë:
Për shpenzimet në gazeta prinë koalicioni LDK, AKR dhe Alternativa me 3560 euro të shpenzuara për katër ditë, përderisa PDK, AAK dhe Nisma kanë shpenzuar 3250 euro. Lëvizja Vetëvendosje ka shpenzuar vetëm 260 euro për katër ditët e para të fushatës.
Numrin më të madh të reklamave për subjektet politike e ka pasur gazeta Zëri me 41 reklama, përderisa Epoka e Re me 18 sosh. Gazetat e tjera ditore kanë pasur një numër shumë më të vogël të reklamave.
D+ dhe Çohu! po ashtu kanë bërë monitorimin e televizioneve RTK, KTV, Klan Kosova dhe RTV 21. PDK, AAK dhe Nisma në këtë periudhë kanë shpenzuar 55,251 euro në transmetime të reklamave në media.
LDK, AKR dhe Alternativa shpenzuan 25,970 euro, përderisa Lëvizja Vetëvendosje ka paguar 3,661 euro për transmetime. Partitë tjera politike kanë shpenzuar 5,883 euro.
Në anën tjetër është vërejtur një numër i madh i reklamave në portale online për këto katër ditë, të cilat janë monitoruar në bazë të ofertave të vetë këtyre portaleve.
Nga monitorimi vërehet se PDK, AAK dhe Nisma kanë shpenzuar 23,350 euro, ndërsa LDK, AKR dhe Alternativa kanë shpenzuar 20,500 euro në këto reklama për katër ditë.
Spotet televizive të transmetuara për të njejtën periudhë janë vlerësuar me këto shifra: PDK, AAK dhe Nisma kanë pasur vlerë të përafërt të spoteve prej 17,300 euro. LDK, AKR dhe Alternativa kanë pasur 21,400 euro, përderisa Vetëvendosje është vlerësuar se ka shpenzuar më së paku në xhirimin e spoteve, përkatësisht 1,700 euro.
Shumë e madhe e mjeteve është shpenzuar po ashtu për xhirimin dhe transmetimin e tubimeve të partive politike. Për këto katër ditë në katër televizione janë shpenzuar këto shuma të parave. PDK, AAK dhe Nisma kanë shpenzuar 36,000 euro, LDK, AKR dhe Alternativa 44,000 euro dhe Vetëvendosje 28,000 euro.
D+ dhe Çohu! do të vazhdojnë monitorimin e shpenzimeve të fushatës, duke përfshirë gjithashtu shpenzimet e terrenit, të tubimeve dhe të tjera, të cilat do të publikohen në ditën e fundit të fushatës.