Partitë politike t’i ndalin punësimet e militantëve në institucione
Prishtinë, 23 qershor - Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se partitë politike duhet ta ndalin avazin e punësimeve partiake për hir të stabilitetit financiar të vendit.
“Oda Ekonomike është duke e përcjellë me shqetësim aktualitetin e punësimeve partiake. Në kuadër të shumë dukurive të tjera negative është duke ndodhur edhe punësimi i pakontrolluar qoftë me kontrata mbi vepër, qoftë me kontrata të përhershme."
"Kjo po ndodh si në ndërmarrjet publike, po ashtu edhe nëpër institucionet e tjera. Ky punësim i pakontrolluar nga partitë politike vërtet është shqetësues. Pra, kjo çfarë po ndodh nuk po i bën nder Kosovës”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai ka theksuar se punësimet e shumta aktuale janë duke e distancuar Kosovën nga agjenda evropiane dhe liberalizimi i vizave pasi, sipas tij, nuk janë duke u përfillur rekomandimet e Komisionit Evropian.
“Informacionet e fundit me të vërtetë janë shqetësuese. Partitë politike janë të shqetësuara për punësimin e militantëve dhe kjo është duke e dëmtuar vërtet Kosovën pasi nga Komisioni Evropian gjithmonë kemi rekomandime për reformim të Administratës Publike dhe profesionalizëm të administratës."
"Ne kemi administratë shumë më tepër të ndikuar nga grupet e interesit dhe partitë politike sesa nga ana profesionale. Pos kësaj, shqetësues është edhe brenga për punëtorët e sektorit privat, sepse kjo gjendje është duke e rënduar sektorin privat dhe taksapaguesit kosovarë. E tërë kjo po bën që të rinjtë të kenë pritje më shumë kah sektori publik për faktin se aty s’ka përgjegjësi dhe s’ka matje të performancës”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Ai ka ripërsëritur kërkesën e tij për partitë politike që ta ndalin avazin e punësimeve partiake dhe të mendojnë për të mirën e vendit.
“Si Odë Ekonomike e Kosovës apelojmë tek institucionet e vendit dhe te partitë politike që t’i thuhet stop punësimit publik dhe selektiv. Të orientohen njëherë e përgjithmon nga vlerat”, është shprehur ai.
Në këtë bisedë për “Epokën e re”, Gërxhaliu ka rekomanduar që të përfillen rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare. Ai ka thënë se politikbërësit në Kosovë duhet mos të na kthejnë mbrapa sa i përket agjendës evropiane dhe liberalizimit të vizave.
Kreu i OEK-ut ka reaguar edhe për rritjen e pagave të zyrtarëve qeveritarë.
“Në rast se do të ndodhë rritja e pagave dhe marrja e pagave në mënyrë retroaktive, ky veprim do ta dërgojë Kosovën në një situatë më të komplikuar."
"E tëra kjo do të ndikojë negativisht në raportet me Bashkimin Evropian, si dhe do të jetë një hap që do ta largojë Kosovën nga qëllimi i liberalizimit të vizave."
"Kur kësaj ia shtojmë edhe efektet ekonomike, atëherë vërtet është shqetësuese. Apeloj që për shtet të bëhet më tepër dhe të mendohet për interesin e përgjithshëm”, ka thënë Gërxhaliu.