Partitë politike me shpenzime afër 1 milion euro në media
Prishtinë, 9 qershor - Demokraci Plus (D+) dhe Çohu! kanë publikuar sot pjesën e dytë të të dhënave për tetë ditë nga procesi i monitorimit të kostos së fushatës zgjedhore 2017.
D+ dhe Çohu! dy organizatat e vetme të cilat monitorojnë shpenzimet e fushatës zgjedhore në Kosovë, kanë publikuar sot të dhënat që lidhen me shpenzimet që kanë bërë partitë politike në televizione, portale, gazeta si dhe xhirimin dhe transmetimin e tubimeve zgjedhore.
Bazuar në të dhënat e monitorimit, D+ dhe Çohu! kanë identifikuar se koalicioni në mes të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën, janë shpenzuesit më të mëdhenj gjatë kësaj fushate.
Për këtë koalicion, D+ dhe Çohu! kanë identifikuar shpenzimet në vlerë tregu prej:
· 116,560.00 euro në transmetimin e reklamave dhe spoteve elektorale;
· 104,000.00 euro në xhirimin dhe transmetimin e tubimeve zgjedhore;
· 57,410.00 euro në xhirimin e video spoteve zgjedhore;
· 52,000.00 euro në reklama ne portale;
· 8,170.00 euro në reklama në gazeta ditore.
Totali në media: 338,140.00 euro
Koalicioni në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Alternativa, i janë identifikuar këto shpenzime në raport me çmimet e tregut:
· 70,850.00 euro në transmetimin e reklamave dhe spoteve elektorale;
· 80,000.00 euro në xhirimin dhe transmetimin e tubimeve zgjedhore;
· 64,130.00 euro në xhirimin i video spoteve zgjedhore;
· 44,100.00 euro në reklama në portale;
· 10,360.00 euro në reklama në gazeta ditore.
Totali në media 269,440.00 euro
Në anën tjetër, Vetëvendosjes i janë identifikuar këto shpenzime:
· 12,638.00 euro në transmetimin e reklamave dhe spoteve elektorale;
· 60,000.00 euro në xhirimin dhe transmetimin e tubimeve zgjedhore;
· 4,150.00 euro në xhirimin e video spoteve zgjedhore;
· 6,325.00 euro në reklama në portale;
· 1,300.00 euro në reklama në gazeta ditore.
Totali në media 84,413.00 euro
Në kuadër të këtij monitorimi janë përcjellë katër televizione duke përfshirë Radio Televizionin e Kosovës (RTK), Radio Televizionin 21 (RTV21), Kohavision (KTV) dhe Klan Kosova.
Në anën tjetër janë monitoruar pesë gazeta ditore, duke përfshirë Koha Ditore, Zëri, Kosova Sot, Bota Sot, Epoka e Re. Ndërsa portalet e monitoruara janë Gazeta Express, Telegrafi, Koha.net, Zeri.info, Indeksonline, Insajderi, Lajmi.net dhe Gazeta Blic.
Të gjitha çmimet janë llogaritur në bazë të çmimeve aktuale të tregut dhe ofertave të këtyre operatorëve medial. Edhe shërbimet eventuale të ofruara pa pagesë apo si shërbime në natyrë është obligim ligjor që të raportohet, pasi e njëjta mund të kthehet në favore të ndryshme nga partitë politike pas zgjedhjeve.
Në vazhdim të këtij monitorimi D+ dhe Çohu! do të dalin me të dhëna të shpenzimeve të subjekteve politike nga terreni duke përfshirë shpenzimet e tubimeve dhe materialeve zgjedhore propaganduese si dhe shpenzimet në mediat e tjera duke përfshirë edhe ato lokale.
Kjo iniciativë është mbështetur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS).