Parlamenti i Greqisë kërkon anulimin e disa borxheve të vendit
Zyrtarët grekë kanë thënë se Athina është detyruar që të shfrytëzojë para nga një llogari e emergjencave me qëllim që të paguaj me kohë këstin e radhës ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar në vlerë prej 750 milionë eurove. Sot është afati i fundit për të kryer këtë pagesë.
Një burim brenda Bankës Qendrore në Athinë ka thënë sot se kjo ka qenë iniciativë e guvernatorit të Bankës së Greqisë që të respektohet afati.
Një zyrtar qeveritar ndërkaq ka thënë se me qëllim që të bëhet pagesa, Athina ka shfrytëzuar 650 milionë euro nga llogaria e veçantë e Bankës Qendrore, llogari kjo që duhet të përdoret vetëm në raste të nevojave të jashtëzakonshme.
Një tjetër zyrtar grek ka thënë se rezervat që u përdorën nga qeveria duhet të rimbursohen brenda disa javësh.