02 Maj 2024

Parashikime të zymta për eurozonën

Frankfurt, 29 prill - Qetësia e blerë nga Banka Qendrore Evropiane në tregjet financiare ka marrë fund - kriza e borxheve është sërish në fokus të investuesve. Disa ekonomistë besojnë se eurozona duhet të përgatitet për trazira të reja.

\"Euroja është një projekt politik\" citon kundërshtari i njohur i euros Joachim Starbatty ish kancelarin gjerman Helmut Schmidt dhe konstaton: me këtë është thënë gjithçka.

Argumentet ekonomike nuk u morën parasysh me futjen e euros. \"Ato vetëm pengonin\", thotë profesori i ekonomisë në një aktivitet të përbashkët të Institutit për Politikë Ekonomike të Universitetit të Köln-it dhe Allianz-ës së Jenës.

Theo Waigel, ish-ministri gjerman i Financave në vitet \'90, pati shpresuar se vendet e Evropës së jugut do të shfrytëzonin përparësinë në interesa që u jepte euro, për të konsoliduar buxhetet e tyre dhe për të modernizuar industritë.

\"Por ata hapën thesin me para dhe bënë festë\", thotë Starbaty, i cili në vitin 1998 pati paditur futjen e euros, por pa sukses.

Tani politikanët duhet të zgjidhin probleme, të cilat pa euron nuk do të ekzistonin, thotë më tej Starbatty.

Për të fituar kohë për politikën Banka Qendrore Evropiane (ECB) bleu për rreth 220 miliardë euro obligacione të vendeve në vështirësi financiare dhe u huazoi bankave para me norma të ulëta interesi. Pasojat e kësaj politike qytetarët do të ndiejnë më vonë, mendon filozofi i ekonomisë, Gerd Habermann: \"Qytetarët duhet të përgatiten për inflacion.\"

Edhe fondin afatgjatë të shpëtimit ESM profesori nga Potsdami e sheh me sy kritik, pasi për të nuk ka opozitë politike. Qeveritë nuk kanë asnjë detyrim për dhënie llogarie.

ESM nuk është një zgjidhje e përhershme, mendon edhe Johann Eekhoff, ish sekretar shteti në Ministrinë e Ekonomisë. Fondi u heq vendeve motivacionin për të bërë përpjekje konsolidimi, thotë profesori i ekonomisë në Universitetin e Kölnit.

Nuk paska pra asgjë pozitive në menaxhimin e krizës nga politika evropiane? Madje as pakti fiskal të cilin e ka aq për zemër kancelarja gjermane Angela Merkel? \"Pakti fiskal është i drejtë\", mendon Michael Wohlgemuth nga Instituti Walter Eucken në Freiburg.

Por me kaq mbarojnë fjalët e mira pasi profesori i ekonomisë është i bindur se pakti fiskal do të dështojë. Për këtë ai përmend disa arsye dhe njëra ështe Wolfgang Schäuble.

Ministri gjerman i Financave nuk i shfrytëzon për të krijuar rezerva normat shumë të ulëta të interesit për Gjermaninë dhe të ardhurat fiskale rekord. Në vend të kësaj vazhdon të krijojë borxhe.

Në një pikë janë të një mendje të gjithë ekspertët: situata mbetet e tensionuar. Tre vatra krize sheh Johann Eekhoff në Eurozonë: krizën bankare, krizën e borxheve dhe krizën ekonomike.

Në thuajse të gjitha vendet me deficite të larta buxhetore, ekonomia vazhdon të tkurret. Në Spanjë dhe në Greqi një në dy të rinj nën 25 vjeç nuk gjen punë - një situatë e patolerueshme për çdo shoqëri, mendon Eekhoff.

Deri tani gjermanët kanë kontribuar rreth 1 bilion euro garanci për Eurozonën. Këtyre parave Gjermania duhet t\'u thotë lamtumirë, mendon eksperti nga Kölni.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)