Para projektit Kosova e Re janë dorëzuar tri qeveri
Prishtinë, 5 tetor - Hashim Thaçi as në mandatin e dytë të tij si kryeministër i Qeverisë së Kosovës nuk ka arritur ta shtyjë përpara projektin për ndërtimin e një termocentrali në Kastriot, të njohur si Kosova e Re.
Ky projekt, në të vërtetë, ishte promovuar që më 2006, kur Qeveria udhëhiqej nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Sikur agjenda e Qeverisë aktuale të dilte e saktë, tashmë do të duhej të ishte bërë hapja e ofertave të pranuara nga investitorët e parakualifikuar për ndërtimin e termocentralit prej 600 megavateve dhe hapjen e minierës që do ta furnizonte me linjit.
Mirëpo, data e fundit për pranimin e ofertave që ishte caktuar 30 shtatori e ka gjetur në udhëkryq projektin Kosova e Re.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik ende nuk i ka finalizuar kërkesat për propozim dhe marrëveshje të projektit pas heqjes së termocentralit Kosova B nga pakoja tenderuese dhe as nuk ka marrë asnjë vendim rreth aksioneve apo faktorëve tjerë të projektit. E në mungesë të këtyre dokumentacioneve nuk mund të mbahet as mbledhja e Komitetit Drejtues të Projektit, shkruan Koha Ditore.
Pas marrjes së vendimit për largimin e TC Kosova B nga dokumentacioni i tenderit janë njoftuar të gjitha kompanitë e parakualifikuara lidhur me vendimin dhe nevojën për kohë shtesë që ky ndryshim të reflektohet edhe në kërkesën për propozime dhe marrëveshjet e projektit, thuhet në përgjigjet e Zyrës për komunikim me publikun në MZHE.
Kjo ministri nuk ka specifikuar se sa do të jetë kjo kohë shtesë deri në pranimin e ofertave, që deri më tash zyrtarisht ka qenë data 30 shtator.