Papunësia në Shqipëri arriti në 14.5 për qind
Tiranë, 22 gusht - Shkalla e papunësisë për popullsinë 15-64 vjeç në Shqipëri gjatë tremujorit të parë të këtij viti arriti në 14.5 për qind, ndërsa për një periudhë afatgjatë është në nivelet 11për qind.
Sipas INSTAT-it, krahasur me tremujorin e parë të 2012-ës shkalla e papunësisë është rritur 1.1 për qind dhe vlerësohet të jetë më e lartë për meshkujt se për femrat.
Rezultatet e anketimeve tregojnë se shumica e të papunëve u drejtohen të afërmve, miqve dhe shokëve për të gjetur punë.
Sipas të njëjtave të dhëna, shkalla e papunësisë për grupmoshën nga 15 deri në 29 vjeç në tremujorin e parë të këtij viti ishte 24.9%, në rënie krahasuar me fundin e vitit të kaluar, por më e lartë krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2012.
Shkalla e papunësisë vlerësohet të jetë më e lartë për meshkujt sesa për femrat, çka, sipas INSTAT, reflekton një nivel më të lartë të kërkimit të punës nga ana e meshkujve dhe një shkallë të ulët aktiviteti në tregun e punës nga ana e femrave.
Një e katërta e femrave që e kanë deklaruar veten joaktive në tregun e punës e kanë shpjeguar këtë me angazhimin si shtëpiake.
Papunësia në radhët e meshkujve është 15.8%, ndërsa te femrat është 12.9%. Pothuajse gjysma e popullsisë aktive në Shqipëri është e punësuar në sektorin bujqësor.
Pesha e punësimit në bujqësi, sipas INSTAT, ka ardhur në rritje dhe në tremujorin e parë të këtij viti ishte 48.7%.
Vijon sektori i shërbimeve, ku mes të punësuarve dhe të vetëpunësuarve, angazhohen rreth 35% e totalit. Në industri punojnë 16% e totalit të të punësuarve.