Papunësia në Kosovë arrinë në 55.9 për qind
Prishtinë, 1 dhjetor - Forumi për Iniciativa Qytetare FIQ, organizoi sot konferencën me titull Papunësia e të rinjve dhe iniciativat filantropike për krijimin e mundësive për ta, të ndarë në dy sesione interesante si Papunësia e të rinjve një çështje kritike A po i ofrojmë të ardhme të rinjve në Kosovë? dhe Arti, Edukimi, Kultura këta kontribues të mëdhenj të transformimeve të rëndësishme shoqërore.
Qëllimi i kësaj konference ishte nxitja e debatit kritik mbi rëndësinë e angazhimit të të gjithë akterëve në adresimin e cështjes së papunësisë së të rinjëve në Kosovë.
Panelistët dhe pjesëmarrësit nga lëmi të ndryshme patën rastin të diskutojnë temën e papunësisë në një dimension tjetër, tejet interesant sipas tyre.
Dajana Berisha, drejtore ekzekutive e Forumit për Iniciativa qytetare (FIQ), tha se aktualisht migrimi është një nga problemet më kritike të vendit, pasi që vetëm në periudhën janar-tetor, 8 mijë kosovarë janë larguar nga vendi dhe nuk dihet a janë kthyer më.
Znj. Berisha përmendi disa statistika, sipas të cilave, numri i të papunëve në Kosovë është më i larti në rajon - 55.9 për qind. Ajo theksoi se për pasojë, të rinjtë nuk po shohin të ardhme dhe se kjo është një nga shkaqet kryesore të migrimit.
Nga ana tjetër Agron Demi, drejtor ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara (GAP), po ashtu, alarmoi për tendencën e migrimit masiv, sidomos kohëve të fundit.
Sipas tij, shkaku kryesor që të rinjtë nuk po gjejnë punë është për shkak se sistemi i tanishëm arsimor nuk po përgatitë kuadro profesionale, andaj sipas tij, sektori publik po diskriminon punësimin e të rinjve, duke filluar nga konkursi ku kërkohet 3 ose me shumë përvojë punë paraprake dhe që në start po krijohet pamundësia që të rinjtë të fitojnë një vend pune.
Hafiz Leka, udhëheqës i Divizionit të Punës dhe Punësimit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), pohoi se në Kosovë ende nuk ka statistika reale rreth papunësisë. Sipas tij, punësimi i të rinjve sillet rreth 73 - 74 për qind.
Kjo shifër, sipas tij, del nëse bëhet kombinimi i dy grup moshave, asaj 15-24 vjet dhe 25-39 vjet. Sipas tij, shkalla e papunësisë në Kosovë është 30.8 për qind duke pohuar se dhe kjo është shifer shqetësuese.
Në panel ndau përvojat e saj edhe Rita Aliti, 18 vjeçare, një ndërmarrëse e re që përmes një biznesi me punëdore ka krijuar të hyra dhe dita-ditës po e rritë biznesin e saj personal.
Për politikat e pafavorshme bankare dhe vështirësitë e gjetjes së njerëzve të përgatitur profesionalisht, përkundër numrit të lartë të rinjve të shkolluar foli dhe Sami Ahmeti, pronar i Hotel Sirius.
Paneli i dyte i konferencës u karakterizua me diskutimet mbi ndikimin e artit, edukimit dhe kulturës, si kontribues të transformimeve të rëndësishme shoqërore.
Eroll Bilibani (DokuFest) u shpreh se kultura nuk duhet të shihet si luks, por duhet të shfrytëzohet si asset I mire në zhvillimin ekonomik. Ai morri shembull DokuFestin, që në vitin 2011, i ka sjellë Prizrenit mbi 3.1 milion euro brenda 10 ditë organizimi dhe ka angazhuar dhjetëra vullnetarë që kanë krijuar përvojë të çmueshme për një karrierë të tyre të mëtejme.
Besa Luzha nga Friedrich Ebert Stiftung, në anën tjetër përmendi sistemin arsimor, që nuk ofron punë praktike dhe profilizim të të rinjëve. Veç tjerash, ajo potencoi se kulturën nuk duhet parë si një sferë që veç duhet shpenzuar për te, por duhet parë si një sektor i rëndësishëm gjeneron të hyra.
Ajo theksoi në vitet e fundit janë krijuar përpot shërbime që kanë lehtësuar jetën e njerëzve dhe kanë ndihmuar vetpunësimin, duke shtuar se ka ende hapësirë të madhe për ide të reja që gjenerojnë vende pune përmes këtyre shërbimeve.
Ne këtë sesion referuan edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Bedri Zyberaj, pastaj drejtori i teatrit Dodona, Agron Shala, dhe Alban Kastrati nga IPKO.
Veç tjerash, pothuajse të gjithë panelistët u pajtuan se adresimi i papunësisë së të rinjëve duhet bërë bashkërisht ngas sektori publik, ai privat dhe shoqëria civile.
Kjo konferencë është pjesë e Javës së Filantropisë, që ka filluar me 27 Nëntor dhe do të zgjas deri më 4 Dhjetor, kur edhe do të ndahen cmimet FIDES për filantropinë nga FIQ. Konferenca e sivjetshme synon krijimin e nje forumi në te cilin cdo vit do te diskutohen ceshtjet me kritike dhe sfiduese per Kosoven.