Papunësi e lartë tek të rinjtë në Maqedoni
Shkup, 28 shtator - Në Maqedoni po bëhet gjithnjë e më vështirë të gjesh punë. Mbi 50% e të rinjve në Maqedoni janë pa punë, ndërkohë që mbi 22 mijë qytetarë me arsim të lartë janë të rregjistruar në Entin për punësim.
Drejtori i Agjencisë për punësim Vllatko Popovski thotë se numri më i madh i të rinjëve të papunë, që janë të evidentuar në Agjencinë për punësim janë të diplomuar sipas sistemit të Bolonjës.
Diplomat e marra nga ky proces arsimor po paraqiten si pengesë për punësim, pasi punëdhënësit vlerësojnë se njohuritë e fituara nuk janë konkurente në tregun e punës.
Ka probleme të theksuara me personat e rinj të sapodiplomuar. Kompanitë kërkojnë punëtorë, duan kuadër profesional i cili do t\'i përgjigjet detyrave përkatëse, thotë Popovski.
Qeveria e Maqedonisë, përmes projekteve të përbashkëta me Bankën botërore po bën përpjekje që të rinjtë të aftësohen me shkathtësi të caktuara që të inkurajohen për të hapur biznese private apo siç quhen ndryshe Projekte për vetëpunësim.
Në Maqedoni ka vende pune që mbeten pa plotësuar sepse për të njëjtat kërkohen shkathtësi të caktuara të cilat nuk arrijnë t\'i përvetësojnë të rinjtë gjatë studimeve,shprehet Tatjana Proskurikova, drejtoreshë e Bankës botërore në Maqedoni.
Politikat dhe strategjitë e Qeverisë për punësim dhe zbutjen e papunësisë përmes projekteve për vetëpunësim po realizohen me vështirësi.