PAMKOS kërkon që të përfshihen punëtorët e pastrimit në Programin për Rimëkëmbje
Prishtinë, 22 janar - Asociacioni PAMKOS ka vlerësuar se përkundër angazhimit të lartë të kompanive Regjionale të Mbeturinave në këtë kohë pandemie, sërish puna e tyre nuk është duke u vlerësuar dinjitetshëm prej institucioneve dhe si rrjedhojë kanë kërkuar përkrahje financiare dhe përfshirje në Programin për Rimëkëmbje për vitin 2021.
Sipas PAMKOS-it përgjatë gjithë kësaj periudhe të pandemisë dhe përkundër rrezikshmërisë së lartë në punë, punëtorët nëpër të gjitha kompanitë e pastrimit kanë shtuar intensitetin e tyre të punës, ku përpos grumbullimit të rregullt të mbeturinave, ata njëherësh maksimalisht janë angazhuar në pastrimin e vazhdueshëm të hapësirave publike me qëllim ruajtjen e shëndetit publik nga pandemia, duke i ardhur në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve në nivel vendi.
Andaj, si asociacion i Kompanive Regjionale për menaxhimin e mbeturinave “PAMKOS”, i bën thirrje institucioneve të Qeverisë së Kosovës që të mos diskriminojnë punëtorët e kompanive të pastrimit dhe të rishqyrtojnë mundësinë e përfshirjes së punëtorëve të kompanive të grumbullimit të mbeturinave në kuadër të Programit për Rimëkëmbje për vitin 2021, të cilët gjatë punës së tyre të pandalshme në bartjen dhe grumbullimin e mbeturinave kanë qenë dhe janë të ekspozuar në shkallë të lartë drejtpërsëdrejti ndaj rrezikut të pandemisë (COVID 19) dhe deri më tani kanë qenë të diskriminuar dhe anashkaluar totalisht duke mos ju atribuar asnjë përfshirje në pakon emergjente, si dhe në ofrimin e ndihmës ndaj Kompanive Regjionale të Mbeturinave (KRM-të) dhe Kompaninë e Menaxhimit të Deponive në Kosovë (KMDK) në mbulimin e shpenzimeve operative të kompanive, me qëllim që të mund t’a përballojmë situatën e rëndë të krijuar në to.
"Punonjësit në kompanitë e bartjes dhe grumbullimit të mbeturinave, si një prej sektorëve esencialë për ruajtjen e shëndetit publik, kanë nevojë të trajtohen me dinjitet, pagë dhe kushte më të mira të punës", thekson në fund PAMKOS.