Pakoja e re fiskale e Shqipërisë godet biznesin kosovar
Prishtinë, 11 janar - Komitetit i biznesit kosovar i është drejtuar Qeverisë shqiptare, se ajo nuk duhet të jetë indiferente ndaj bizneseve të Kosovës, që plasojnë produktet e tyre në Shqipëri.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit në vend kanë deklaruar se Shqipëria dhe Kosova nuk kanë nevojë të mbajnë mbledhje vetëm sa për sy e faqe dhe për të dalë në media, por duhet të bëjnë hapa konkretë që të rritet bashkëpunimi. Këta përfaqësues e kanë kritikuar Shqipërinë për pakon e re fiskale, e cila në masë të madhe do ta godasë edhe biznesin e Kosovës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se takimi në Prizren duhet shikuar si mundësi e mirë për të pasur rritje të bashkëpunimit ekonomik. Ai ka theksuar se nuk mjafton vetëm fotografimi sa për të dalë në opinion, por duhet marrë vendime të rëndësishme.
Shqipëria duhet ti heqë barrierat që i ka vënë me pakon e re fiskale, sepse ajo pako do ti dëmtojë shumë bizneset dhe produktet kosovare që janë në tregun e Shqipërisë, ka thënë ai. Sipas tij, të dy vendet duhet ti promovojnë bizneset, por jo duke u bazuar vetëm në emocione. Ne jemi dy shtete me një komb të ndarë, dy ekonomi, por për të pasur zhvillim të dyanshëm, duhet ta avancojmë bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ka thënë Gërxhaliu.
Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, është shprehur se nuk beson që Qeveria e Shqipërisë do të marrë ndonjë vendim enkas për Kosovën. Nuk besoj se do të ketë përjashtim sepse këto politika po bëhen për bizneset e vet Shqipërisë dhe nuk ka përjashtime për vetë bizneset e Shqipërisë e lërë më për bizneset e Kosovës. Prandaj, nuk besoj se do të ketë politika me dy tarifa, apo me standarde të dyfishta, por do të jenë politika për të gjithë njëjtë dhe këtë nuk mund ta lejojë as CEFTA, as marrëveshjet e tjera, të cilat Shqipëria i ka të nënshkruara, ka theksuar ai.
Shahini i ka sugjeruar shtetit shqiptar ta rishqyrtojë paketën sepse, sipas tij, kjo ndikon negativisht edhe në zhvillimin e ekonomik dhe në tërheqjen e investimeve në Shqipëri.
Kosova dhe Shqipëria duhet ta rrisin bashkëpunimin ekonomik
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) nëpërmjet një komunikate ka bërë me dije se duhet të rritet bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Thellimi i bashkëpunimit rajonal, veçanërisht atij në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, është i një rëndësie kyçe drejt zhvillimit më të qëndrueshëm ekonomik të të dyja vendeve, të cilat përballen me një gjendje të brishtë dhe sfida sa i përket shpejtimit të mëtutjeshëm të rritjes ekonomike", është thënë në komunikatën e OEAK-ut.
Sipas OEAK-ut, ndërtimi i autostradës së kombit, nënshkrimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë si dhe i Protokollit për Bashkëpunim Ekonomik Kosovë-Shqipëri kanë përafruar këto dy vende më shumë se kurrë, duke nxitur kështu proceset integruese drejt Bashkimit Evropian (BE). Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, si një zë i fuqishëm i bizneseve, mbështet të gjitha proceset, të cilat kanë për synim fuqizimin e bashkëpunimit të dyanshëm ndërmjet dy vendeve. Sidoqoftë, shprehim shqetësimin tonë lidhur me barrierat e vendosura kohë pas kohe nga të dyja vendet, e që janë në kundërshtim me përpjekjet për fuqizimin e një bashkëpunimi të shëndoshë ekonomik, është thënë në komunikatën e OEAK-ut.
Kjo odë ka vlerësuar se me vendosjen e barrierave tarifore dhe jotarifore nga të dyja anët e kufirit dëmtohen rëndë interesat e bizneseve të Kosovës dhe të Shqipërisë, njëkohësisht duke u penguar fuqizimi i marrëdhënieve ekonomike, shkëmbimi tregtar si dhe lëvizja e lirë e mallrave ndërmjet dy shteteve. Rrjedhimisht, u bëjmë thirrje qeverive të të dyja vendeve ti ndërmarrin masat e duhura për eliminimin e barrierave reciproke dhe të përqendrohen në zbatimin e pakusht të dispozitave të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA), e cila promovon vlerat kyçe në të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian për qarkullimin e lirë të mallrave. Krijimi i hapësirave të lira tregtare rajonale me numër më të madh konsumatorësh do të ishte më atraktiv edhe për investitorët e huaj dhe një hap tutje drejt integrimit të shteteve të Gadishullit Ballkanik në Bashkimin Evropian. Oda Ekonomike Amerikane kërkon harmonizim të legjislacionit për çështje tregtare apo doganore, që do të ishte hapi i parë i cili do ti lehtësonte procedurat e shkëmbimeve tregtare dhe komunikimeve të bizneseve në të dyja vendet, është theksuar në komunikatë, sipas së cilës, duke marrë parasysh edhe deficitin e lartë tregtar me të cilin përballen dy vendet, është e domosdoshme të gjenden mundësi për plotësimin e nevojave reciproke si dhe të krijohet një strategji drejt politikave më të favorshme për sektorin privat në të dyja vendet.
Qeveritë duhet ti orientojnë ekonomitë në mënyrë të tillë që të mos konkurrojnë njëra-tjetrën, por ta plotësonin njëra-tjetrën, gjë që do të sillte përfitime më të mëdha për të dyja vendet. OEAK i ka ftuar qeveritë e të dyja vendeve të angazhohen më fuqishëm dhe të tregojnë energji më të madhe për një bashkëpunim më të thellë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me më pak retorikë politike dhe patriotike, duke nisur kështu një epokë të re në të cilin vendkalimet kufitare nuk konsiderohen si pengesë, por urë lidhëse në mes të bizneseve të Kosovës dhe të Shqipërisë, ka përfunduar komunikata e OEAK-ut.(Epoka e re)