16 Janar 2025

Pakistani i interesuar të rris bashkëpunimin ekonomik me Kosovën

Prishtinë, 28 janar - "Ne jemi falënderues për njohjen nga shteti i Pakistanit vitin e kaluar, një njohje jashtëzakonisht e rëndësishme në kontekstin politik por edhe në atë ekonomik", ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj pas takimit me ministrin e Shtetit për Punë të Jashtme të Pakistanit, Malik Amad Khan, në kuadër të vizitës që ky i fundit po i bën Kosovës.

Ministri Beqaj në një konferencë të përbashkët me kryediplomatin pakistanez tha se gjatë bisedës me të kishte nderin të këmbej informata rreth zhvillimit ekonomik të dy vendeve dhe mundësive të bashkëpunimit, duke shtuar se bashkëpunimi i mirëfilltë ekonomik është rruga më e mirë për të forcuar marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Pakistanit.   
 
“Siç e dini që nga dje ne kemi marrëdhënie diplomatike me Pakistanin dhe tani jemi të interesuar të gjejmë mundësitë e bashkëpunimit. Unë e njoftova ministrin Khan me statusin e zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës, bashkëpunimin që kemi me vendet  e rajonit, bashkëpunimin që kemi me BE-në”, tha Beqaj.

Kreu i MZHE-së tha se ka informuar ministrin Khan me mundësitë për këmbimin e mallrave në të ardhmen me Pakistanin edhe  mundësinë për të shfrytëzuar Kosovën si vend transit për eksportin e mallrave drejt Bashkimit Evropian, duke tentuar për të përfituar nga ato preferencat tregtare të cilat BE i ka dhënë për Republikën e Kosovës.

“Ne biseduam rreth mundësive për të këmbyer në nivel të odave ekonomike, në nivel të bizneseve dhe për të hulumtuar cilët janë sektorët ku ne mund të gjejmë një bashkëpunim të rëndësishëm”, tha Beqaj.

Nga ana e tij, ministri i Shtetit për Punë të Jashtme të Pakistanit, Malik Amad Khan ka potencuar se edhe para njohjes së Kosovës nga Pakistanit, populli dhe qeveria e këtij vendi kanë pasur një afërsi me Kosovën dhe e kanë mbështetur në mënyra të ndryshme.

Ai tha se Pakistani e ka mbështetur Kosovën edhe në forume të ndryshme ndërkombëtare përfshirë këtu Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Përveç çështjes për njohjen zyrtare, kemi pasur diskutime të shumta edhe sa i përket këmbimit të delegacioneve ndërmjet të dy vendeve, qoftë në nivel ministror, qoftë në nivel të odave ekonomike, të cilat gjithsesi do të shpijnë në një bashkëpunim dhe në një ndërveprim më të madh ndërmjet njerëzve dhe ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve”, tha Khan.

Kreu i diplomacisë pakistaneze tha se ende nuk mund të flitet për sektorë specifik për bashkëpunim, mirëpo gjatë takimit me ministrin Beqaj janë identifikuar fushat ku mund të ketë një bashkëpunim në të ardhmen siç janë industria e tekstilit, përpunimit të produkteve ushqimore, sektori farmaceutik dhe turizmin.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)