Pak optimizëm për rritje të punësimit
Prishtinë, 22 korrik - Indikatorët matës te tendencave te biznesit për tre muajt e tremujorit te trete te këtij viti tregojnë se ka pak optimizëm për punësim.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës tha se duke u bazuar në të dhënat e prezantuara është e qarte se krahasuar me periudhat e më hershme, optimizmi po bie.
Ajo çka është interesante është fakti se rreth 9 për qind të bizneseve presin se punësimi do të bjer në tre mujorin e ardhëm, 29 për qind janë optimist se punësimi do të rritet, por mbi të gjitha është shqetësuese fakti se parashihet një formë e ngrirë e asaj se 62 për qind e bizneseve mendojnë se do të jemi në këtë nivel në të cilin jemi.
Sipas tij kjo është një shenjë e cila obligon që të punojmë më tepër dhe me ketë rast theksoi se po zvogëlohet optimizmi tek te anketuarit.
Në analizën e tre muajve të fundit, 75 për qind të anketuarve kanë pasur një dozë më të madhe të optimizmit, por në tre mujorin e dytë janë vetëm 56 për qind , që është rënie e optimizmit për rritje, tha ai.
Ndërsa Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë tha se Qeveria e Kosovës, mbetet e përkushtuar që të punojë më tepër në agjendën ekonomike, në mënyrë që ky angazhim të reflektohet në përmirësimin e standardit të qytetarëve të Kosovës.
Ne kemi pasur suksese. Megjithatë gjithmonë sfidat janë ato që vihen në pah. Sukseset tona në kuadër të reduktimit të burokracisë, në kuadër të reduktimit të lejeve licencave, procedurave të cilat janë për të filluar biznesin apo për të bërë biznes, mbesin ende në kuadër të fokusit tonë. Por, gjithashtu, është tepër e rëndësishme të themi se është një bashkërenditje e aktiviteteve, në nivelin qendror, lokal, në sektorin privat dhe agjencitë tjera relevante."
"Për ne është tepër e rëndësishme që kjo agjendë ekonomike, që kjo agjendë për përmirësimin e ambientit të biznesit, të jetë në fokus të gjithë akterëve institucional, tha ajo.
Ndërsa Berat Rukiqi, sekretar i përgjithshëm në OEK tha se 40 për qind e investitorëve të huaj aktual që janë në Kosovë, mbrojtjen që e ofron korniza ligjore e aktuale e konsiderojnë problematike. Megjithatë 77 për qind e investitorëve janë të gatshëm që prapë të investojnë në Kosovë.
Diçka interesante që është pozitive, mendoj se 77 për qind e investitorëve do të investonin prapë në Kosovë. Mirëpo 23 për qind prej tyre nuk do të investonin nëse do ta merrnin prapë vendimin për investime, tha ai.
Ndryshe sipas indikatorëve matës një e treta e bizneseve e konsiderojnë situatën aktuale jo të kënaqshme. Bizneset kryesisht parashikojnë mos ndryshim në numrin e punëtorëve dhe pritjet e bizneseve për tre mujorin e tretë, janë më pak optimiste, në krahasim me pritjet e potencuar për tre mujorin e dytë.
Gjetjet, po ashtu, tregojnë se rreth 70 për qind e kompanive e vlerësojnë gjendjen e tyre biznesore si të mirë dhe të kënaqshme. Megjithatë, 30 për qind e bizneseve kanë deklaruar se gjendja e biznesit të tyre është e pakënaqshme.
Lidhur me pritjet për punësim në tre muajt e ardhshëm, sipas kësaj analize, del se bizneset kryesisht parashikojnë mos ndryshim në numrin e punëtorëve, rreth 62 për qind parashikuan që punësimi do të mbetet i njëjtë, vetëm 9 për qind e bizneseve, presin që punësimi do të bjerë dhe 29 për qind të bizneseve janë optimist se punësimi do të rritet.
Ndryshe, në këtë analizë thuhet se pritjet për gjashtë mujorin të jenë më pozitive. Rreth 56 për qind e kompanive, presin që situatat e tyre biznesore të përmirësohet në gjashtë muajt e ardhshëm. 31 për qind presin që ajo të mbetet ashtu siç është dhe vetëm 13 për qind presin që gjendja e tyre e biznesit të përkeqësohet.