09 Maj 2024

Pagat e larta rritin taksat

Prishtinë, 25 shtator - Premtimin e kryeministrit Hashim Thaçi për rritje pagash deri në 50 për qind për mësimdhënësit, analistët e shohin si premtim elektoral, por që, sipas tyre, shumë i dëmshëm për vendin.

Eksperti ekonomik, Musa Limani, ka thënë se ky premtim i ngjason një parafushate elektorale dhe se, sipas tij, kjo nuk është hera e parë që kryeministri Thaçi jep deklarata të tilla pa ndonjë mbulesë.

“Ky është një premtim që nuk ka mbështetje duke u nisur nga situata ekonomike dhe sociale. Prej nga do të rriten këto paga, nuk ka prodhim, pa prodhim nuk ka fitim. Këtë deklaratë kryeministri e ka bërë me qëllim që ta përgatitë elektoratin, ose nëse kandidon për president që ta votojnë”, ka thënë Limani.

Sipas tij, kjo gjendje ka gjasë ta ngarkojë tatimpaguesin me taksa më të larta.

“Nuk ka mundësi që të mbulohen këto në mënyrë të rregullt, por në qoftë se ndodh për të rritur mjetet buxhetore tatimpaguesit do të ngarkohen me taksa më të larta. Kjo do ta ngarkojë tatimpaguesin që edhe ashtu është në një situatë të vështirë. Burimi tjetër mund të jetë përmes politikës së tregtisë së jashtme e që efektet negative do të jenë në deficit të bilancit të pagesave”, ka thënë Limani, duke shtuar se kryeministri nuk çan fort kokën në këtë drejtim, por, sipas tij, i mjafton marrja e votave në këmbim të premtimeve të tilla.

Limani pret që të ketë reagime nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndërsa, sipas tij, çdo prishje e raporteve me ta do të ketë pasoja negative për ekonominë e vendit. “FMN-ja mund të reagojë pasi që mund të thonë se “nuk ka rritje të prodhimit, nuk mund t’i rritni pagat”. Besoj se edhe në këtë rast Fondi do të reagojë, për arsye se Fondi merret me politikën monetare të vendeve anëtare dhe kjo ka të bëjë me politikën monetare.''

"Është e logjikshme që të rritet edhe inflacioni. Çdo prishje e raporteve me FMN-në do të jetë negative për ne, qoftë për buxhetin qoftë për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka thënë Limani.

Ndërsa Avni Zogiani nga organizata “Çohu”, ka thënë se shumë shpesh premtime të tilla kanë shkaktuar probleme financiare.

“Mendoj se edhe po të jetë premtim elektoral në qoftë se ishte bazuar në një planifikim të shëndoshë të buxhetit do të ishte në rregull. Shumë shpesh premtimet e tilla shkaktojnë probleme financiare."

"Kjo ndodh edhe për faktin se Kosova po shpenzon projekte të pastudiuara mirë. Me këtë rast mund të krijohet një deficit i cili do t’i mbetet një gur në qafë shoqërisë kosovare. Financat publike me këto vendime janë duke u degraduar”, ka thënë Zogiani.

Ai nuk e sheh si problem marrëdhëniet e Kosovës me FMN-në në këtë rast pasi që, sipas tij, FMN-ja nuk e ka prioritet Kosovën.

“Fondi Monetar Ndërkomëbtar nuk e ka ndërmend siç duket që Kosovës t’i ofrojë përparësi financiare siç bën me vendet tjera. Premtimet kanë qenë shumë të vogla. Kosova praktikisht nuk ka pasur benificione prej marrëdhënies me FMN-në”, ka thënë Zogiani.

Nga ana tjetër zyrtar të Ministrisë së Financave thonë se kjo ministri e bën hartimin e buxhetit të Kosovës në bazë të prioriteteve të Qeverisë.

“Ministria e Financave e bën hartimin e buxhetit të Kosovës duke u bazuar në prioritetet e Qeverisë. Duke u bazuar në këto prioritete Ministria e Financave bën edhe planifikim për të hyrat dhe shpenzimet buxhetore”, ka thënë Muharrem Shahini nga kjo ministri.

Si pasojë e rritjes së pagave të shërbyesve civilë me një mesatare prej 23 për qind vitin e kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar kishte ngrirë raportet me Kosovën, me ç’rast kishte bllokuar për disa muaj kredinë për vendin në vlerë prej rreth 110 milionë euro.

Pas kësaj, Qeveria e vendit është dashur t’u përmbahet rekomandimeve konkrete si kusht për relaksim të raporteve me FMN-në, me ç’rast muaj më parë u vazhdua me ndarjen e kësteve të mbetura të kredisë për vendin.

Sistemi parauniversitar në Kosovë numëron rreth 25 mijë mësimdhënës, ndërsa paga bazë në arsimin fillor është 345 euro, kurse në arsimin e mesëm 380 euro. Kësaj shume i shtohet edhe kualifikimi dhe përvoja e punës.

/Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)