Paga vjetore e Sekretarit bëhet mbi 15 mijë euro
Prishtinë, 17 shtator - Kryeparlamentari Jakup Krasniqi vendosi të rrisë pagat për zyrtarët e lartë të administratës së Kuvendit të Kosovës.
Paga vjetore e Ismet Krasniqit, sekretar i kuvendit, u rrit për mbi 4 mijë euro. Të ardhurat vjetore të zyrtarit më të lartë të administratës së kuvendit ku përfshihen paga, kompensimet dhe mëditjet, kalon shumën prej mbi 20 mijë eurosh.
Sekretari i Kuvendit të Kosovës Ismet Krasniqi do të marrë me rritje pagën e muajit shtator. Ai më 1 tetor do të paguhet 1 mijë e 300 euro.
Deri tash paguhej 928 euro në muaj për punën e tij, por kryeparlamentari Jakup Krasniqi vendosi që të rrisë pagat për sekretarin dhe 14 zyrtarë tjerë të lartë të administratës.
Vendimi i kryetarit Krasniqi i marrë më 2012, u procedua më 9 shtator të këtij në sistemin e pagave, nga Ministria e Adiministratës Publike.
Paga e tij vjetore është rritur nga 11 mijë e 136 euro në 15 mijë e 600 euro.
Krasniqi përveç pagës merr edhe kompensime e mëditje nga Kuvendi i Kosovës.
Bazuar në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion më 2013, ai merrte 20 mijë e 142 euro nga Kuvendi i Kosovës, edhe para se paga e tij të rritej nga kryeparlamentari Krasniqi.
Shuma përfshinte pagën, mëditjet dhe kompensimet vjetore.
Sekretari i parlamentit nuk specifikonte në deklarimin e pasurisë se sa merr për secilën kategori të të ardhurave.
Por, një vendim i kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, i marrë në dhjetor të vitit 2009, tregon për shumat e kompensimeve të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të administratës.
Bazuar në këtë vendim, sekretari i kuvendit merr një kompensim prej 400 eurosh në muaj, ose 4 mijë e 800 eurosh në vit. Shuma e pagës vjetore që merrte më herët Krasniqi ishte në vlerë prej mbi 11 mijë eurosh.
Ndërsa shuma prej mbi 5 mijë eurove është mëditje që merr nga Kuvendi i Kosovës.
Përveç rritjes së pagës së Krasniqit, nga vendimi i kryeparlamentarit kanë përfituar edhe katërmbëdhjetë zyrtarë tjerë të lartë të administratës së Kuvendit të Kosovës.
Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar shkresën zyrtare ku kërkohet procedimi në sistem i pagave me rritje të administratës së Kuvendit të Kosovës.
Tefik Mahmuti, drejtor i Shërbimit Civil në Ministrinë e Administratës Publike, kërkoi më 9 shtator të këtij viti nga Shpresa Dushi, shefe e Divizionit të Pagave, që të zbatonte vendimin e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, të datës 28 dhjetor 2012.
/gazetajnk/