Paga mesatare bruto në Kosovë në vitin 2019 ishte 602 euro
Prishtinë, 29 maj - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Nivelin e Pagave në Kosovë për periudhën 2012-2019.
Ky publikim përmban të dhëna për pagën mesatare bruto dhe neto sipas sektorëve dhe aktiviteteve ekonomike në Sektorin Publik (Administrata), Sektorin Privat dhe Ndërmarrjet Publike në Kosovë.
Në vitin 2012 paga mesatare bruto në Kosovë ishte 431 euro, derisa në vitin 2019 ishte 602 Euro, një rritje prej 171 Eurosh, ose 39.7%. Ndërsa, paga neto nga 384 euro, sa ishte në vitin 2012, është rritur në 537 euro në vitin 2019, me një rritje prej 153 Eurosh, ose 39.8%.
Paga mesatare bruto në Sektorin Publik në vitin 2012 ishte 407 Euro, derisa në vitin 2019 ishte 584 Euro, duke u rritur për 177 Euro, ose 43.5%. Derisa, paga neto nga 353 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 519 Euro, një rrije prej 166 Eurosh, ose 47.0%.
Sektorit Privat, në vitin 2012, kishte një pagë bruto mesatare prej 367 Eurosh, ndërkaq në vitin 2019 kishte 420 Euro, një rritje prej 53 Eurosh, ose 14.4%.
Derisa, paga neto nga 333 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 380 Euro në vitin 2019, një rritje prej 47 Eurosh, ose 14.1%.
Paga mesatare bruto në Sektorin e Ndërmarrjeve Publike në vitin 2012 ishte 518 Euro, derisa në vitin 2019 ishte 801 Euro, një rritje prej 283 Eurosh, ose 54.6%.
Derisa, paga neto nga 465 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 707 Euro në vitin 2019, një rrije prej 242 Eurosh, ose 52.0%.
Niveli i pagave më të larta në Kosovë ishte te Sektori i Ndërmarrjeve Publike, derisa me paga më të ulëta ishte sektori privat.
Paga mesatare bruto në vitin 2019 sipas aktiviteteve ekonomike, më e lartë ishte te: furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (923 Euro); informimi dhe komunikimi (797 Euro); dhe xehëtaria dhe gurëthyesit (657 Euro). Derisa, paga më e ulët ishte te akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim (256 euro).
Paga mesatare neto në vitin 2019 sipas aktiviteteve ekonomike ka të njëjtën renditje si më lartë: furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (811 Euro); informimi dhe komunikimi (704 Euro); xehëtari dhe gurëthyes (584 Euro). Derisa, paga më e ulët ishte te akomodimi dhe aktivitett e shërbimeve me ushqim (237 Euro).