12 Janar 2025

Pacolli u kërkoi amerikanëve të investojnë në Kosovë

New York, 29 nëntor - Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli u ka bërë thirrje të gjithë investitorëve amerikan që të investojnë, në Kosovë, në shtetin e ri me kapacitete të shumë anshme.

Në konferencën e investitorëve për Kosovën, të mbajtur në Hjuston të SHBA-së, në të cilën merrnin pjesë më shumë se 30 kompani të fuqishme zëvendëskryeministri Pacolli ka ofruar një pasqyrë të mundësive reale për investime në Kosovë.

Ai e ka përshkruar Kosovën si vendin më proamerikan në Evropë, si vendin me ligje sipas standarteve evropiane, në të cilin, investitorët janë të privilegjuar nga shteti. Amerikanët sipas tij, janë të mirëpritur në Kosovë, dhe duhet të fillojnë me investimet e tyre.

``Në Kosovë ka nevojë për gjithçka, ndaj në Kosovë ka hapësirë për investime kudo, me garanci shtetërore, me mbështetje të privilegjuar nga shteti. E keni shansin qe te vini ne Kosovë, të investoni dhe ne do të ju mbështesim me kapacitetet tona. Ne ju inkurajojmë që të vini dhe jeni të mirëseardhur`` ka thënë Pacolli.

Ai po ashtu ka shpjeguar edhe mundësitë që ka Kosova si rezultat i aplikimit të masave favorizuese nga BE dhe SHBA për prodhimet kosovare.

``Unë e kam të qartë rëndësinë e hapësirës, apo të tregut për zhvillimin e biznesit. Nëpërmjet iniciativave të caktuara, përgjithësisht hapësira e rajonit  falë një iniciative të Bashkimit Europian është  pa pengesa të mëdha doganore, apo pengesa të tjera, me përjashtim të kufijve me Serbinë. BE aplikon masa favorizuese për prodhimet MADE IN KOSOVA`` ka theksuar zëvendëskryeministri Pacolli.

Ai njëherit, ka thënë, se investitorët amerikanë, duhet të jenë të parët që hyjnë në industritë tona minerare dhe energjetike. Sipas tij, interes në këtë fushë kanë shprehur edhe investitorë të tjerë, por e rëndësishme për shtetin e Kosovës, është që në këtë drejtim, amerikanët të jenë në radhë të parë.

“Investitorët amerikanë, duhet të jenë të parët që të hyjnë në industritë tona minerare, sepse Kosova është ndër vendet më të pasura në Europë për minerale. Ne duam që në Kosovë të jenë të pranishëm më së pari investitorët amerikanë dhe pastaj të tjerët`` ka thënë Pacolli.

Konferenca e investitorëve, ka vazhduar me diskutime direkte, gjatë të cilave përfaqësuesit e kompanive amerikane nëpërmjet pyetjeve kanë shprehur interesimin e tyre lidhur me mundësitë e investimit në Kosovë.

Gjithashtu, pas përmbylljes së sesionit kryesor të konferencës, kanë vazhduar takimet direkte, në të cilat kompanitë e interesuara kanë kërkuar informacionet shtesë lidhur me Kosovën dhe potencialet e saj.

Pjesmarrës në këtë konferencë, ndër shumë kompani ishin edhe: Clean Air, SK Engineering&Construction,  McGriff,Seibels&Ëilliams, Bechtel, ZEEP, Fuel Quest, WorleyParsons, PwC, etj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)