Pacolli fajëson Qeverinë për mosrespektim të reciprocitetit
Prishtinë, 8 shtator - Kryesuesi i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë rreth policave, Rrahim Pacolli, u ka bërë thirrje kryeministrit Isa Mustafa, ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hysenit, si dhe ministres së Dialogut, Edita Tahirit që ta sqarojnë për qytetarët pse nuk po e lejojnë zbatimin e vendimit, i cili ka për qëllim të vendosë reciprocitetin në mes palëve nënshkruese të marrëveshjes për policat kufitare.
Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara në pikat kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, procedurat dhe taksat e panevojshme, si dhe maltretimin e panevojshëm për qytetaret e Republikës së Kosovës, duke i detyruar që në pikat e kontrollit kufitarë ti heqin targat RKS, unë si kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, dje, më datë 07.09.2015 kam marrë vendim për ngrirje të marrëveshjes së 23 qershorit, e cila është nënshkruar në Bruksel në mes të Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe Shoqatës Serbe të Sigurimeve, e cila ka pasur për qëllim lehtësimin e lirisë së lëvizjes në mes qytetarëve të dy shteteve, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Sipas tij, duke parë nga afër që pala serbe gjatë kësaj periudhe kohore ka vazhduar me veprime të njëanshme dhe të papërgjegjshme, të cilat kanë qenë të disfavorshme për qytetarët tanë dhe kanë dëmtuar këtë marrëveshje, e cila ka pasur bazë reciprocitetin e që në fakt nuk po zbatohet nga pala serbe, si kryesues i delegacionit për bisedime dhe si nënshkrues i kësaj marrëveshje, ai ka marrë vendim që e njëjta të ngrihet përkohësisht.
Për arsyeje të panjohura dhe krejtësisht të pakuptimta mekanizmat zbatues të institucioneve të Kosovës nuk po e implemetojnë vendimin për ngrirje të kësaj marrëveshje. Në bazë të informacioneve që po qarkullojnë, kjo është bërë me urdhër të zyrtarëve më të lartë të shtetit. Ju rikujtojmë se palë nënshkruese e marrëveshjes është Byroja Kosovare e Sigurimeve dhe si e tillë e ka të drejtën për ngrirje të saj, ka theksuar ai.