04 Maj 2024

Pacolli angazhohet për një zgjidhje ekonomike për veriun

Prishtinë, 18 maj - Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, u ka bërë thirrje përfaqësuesve të Universitetit të Stanfordit në SHBA që të angazhohet në hartimin e një memorandumi akademik për njohjen e shtetësisë së Kosovës dhe formulimin e një zgjidhjeje ekonomike për veriun.

Në një komunikatë të lëshuar për medie nga kabineti i Pacollit është thënë se zëvendëskryeministri Pacolli u ka sugjeruar përfaqësuesve të Universitetit të Stanfordit, kërkuesve shkencorë të Institutit Hoover, formulimin e një memorandumi akademik, në favor të njohjeve të mëtejshme të Kosovës në gjithë botën.

“Mendimi Këshillimor i Gjykatës së Hagës në favor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, argumentoi pse rasti i Kosovës është i veçantë në shkallë botërore, që s’mund të merret si precedent. Por, ka ende vende që hezitojnë ta njohin për shkak të problematikave që kanë me pakicat në territorin e tyre”, ka shkruar Pacolli në referimin e tij, duke bërë propozimin e tij të parë se:

\"Kërkuesit e Hoover Institute a mund të angazhohen të përpunojnë një dokument akademik, njëlloj memorandumi i cili, në bazë të vendimit të gjykatës, të argumentojë shkencërisht, pse pavarësimi i Kosovës është një rast sui generis? Ky dokument, me besueshmërinë dhe paanshmërinë që bart emri i universitetit tuaj, do të përfaqësojë një zhvillim me vlerë të jashtëzakonshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe në shtetësinë e Kosovës që themelohet dhe forcohet mbi bazën e njohjeve dhe anëtarësimit në OKB”, është thënë në komunikatën e kabinetit të Pacollit.


Në propozimin e dytë Pacolli kishte në themel kërkesën drejtuar audiencës për të formuluar së bashku një zgjidhje ekonomike të përpunuar akademikisht se si mund të integrohet një popullsi minoritare që të jetojë brenda Kosovës. “Kjo duhet të jetë”, sipas Pacollit, një formulë universale që prej Kosovës të shërbejë si model dhe për raste të ngjashme në botë.

Më tej, në referimin e tij Pacolli ka thënë se formula duhet të mbështetet në krijimin e një zone të lirë ekonomike dhe themelimin brenda saj të njësive të përbashkëta biznesore, prodhuese, të cilat, sipas tij, do t’i bënin banorët e kësaj zone të interesuar të bashkëjetonin e jo të luftonin mes tyre. “Formula ime ka nevojë të përsoset. Të integrohet me elementë legalë. Të mbështetet ndërkombëtarisht”, ka thënë Pacolli.

Pacolli ishte i ftuari kryesor i Institutit Hoover, qendra elitare e mendimit pranë Universitetit të Stanfordit në konferencën akademike kushtuar disa zonave problematike në botë së bashku me zyrtarë të lartë nga vende si SHBA, India, Laosi dhe Turqia. Në këtë komunikatë është thënë se referimi i zëvendëskryeministrit Pacolli është pritur me mjaft interes nga të pranishmit.(Gazeta Epoka e Re)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)