15 Nëntor 2024

Pa stabilitet politik s’mund të kemi rritje ekonomike

Prishtinë, 8 shkurt - Presidenti i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), Samir Krasniqi, ka vlerësuar lart iniciativën e presidentes Atifete Jahjaga për t’i takuar kryetarët e komunave së bashku me përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë. Ai ka thënë se në esencë takimet e tilla janë plotësisht të padobishme, nëse nuk merremi me sanimin e problemeve me të cilat përballen komunat dhe vendi në përgjithësi.

Në këtë intervistë për “Epokën e re” ai ka thënë se përmirësimi operativ i mundësive për ngritje të kushteve për të bërë biznes nëpër komuna do të kishte efekte shumëdimensionale ekonomike e socio-ekonomike. “Mosparandalimi i fluksit të emigrimit ose largimit nga fshatra e zona më të thella ka bërë që pasojat të jenë të shumëfishta. Sot kemi vendbanime tërësisht të boshatisura, në të cilat dikur kishte ekonomi të shëndosha familjare ndërsa, si pasojë, kemi qytete të mbingarkuara dhe papunësi në shkallë shumë të lartë”, ka deklaruar ai.

Duke folur për ambientin e të bërit biznes në Kosovë, Krasniqi ka thënë se bizneset në Kosovë po ballafaqohen me probleme të shumta, marrë parasysh këtu dhe krizën politike në vend. “Bizneset ballafaqohen akoma me probleme të rënda. Ato fillojnë me sundimin e ligjit, infrastrukturën, burokracinë dhe shumë probleme të natyrës së tillë. Këto janë probleme që shteti duhet t’i eliminojë, sepse është e natyrshme që investimet e huaja nuk orientohen në vende që kanë këso probleme të theksuara. Së fundmi edhe situata politike në Kosovë e përshkallëzuar që nga pjesa e dytë e vitit të kaluar ka shkaktuar dëme të mëdha në ekonominë e vendit”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, nëse do të vazhdojë e njëjta situatë edhe në vitin 2016 nuk mund të pritet zhvillim ekonomik dhe tërheqje të investimeve të huaja, përkundrazi, sipas tij, do të ketë përkeqësim edhe më të madh. “Pa stabilitet politik nuk mund të kemi rritje ekonomike dhe zhvillim të Kosovës dhe në këtë mënyrë nuk mund të kemi investime të huaja direkte. Mendoj se institucionet tona duhet të bëjnë klimë të mirë, në radhë të parë për bizneset vendore këtu. Kur bizneset vendore e kanë klimën e mirë për të investuar, për të punuar, atëherë padyshim se edhe bizneset e huaja do të vijnë dhe nuk do të kërkojnë asgjë më shumë”, ka thënë Krasniqi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)