Osmani priti në takim Ministrin e Financave Avdullah Hoti
Prishtinë, 23 maj - Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani priti sot në takim Ministrin e Financave Avdullah Hoti, me të cilin bisedoi për progresin në reformën e menaxhimit të financave publike, implementimin e aktiviteteve në kuadër të Planit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që kanë të bëjnë me kontrollin financiar, Ligjin e ri për Zyrën Kombëtare të Auditimit si dhe për çështje të tjera të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani, theksoi rëndësinë që ka reforma në menaxhimin e financave publike në përmirësimin e shpenzimit të parasë publike dhe rritjen e efikasitetit të qeverisjes dhe rikonfirmoi gatishmërinë dhe interesimin e Zyrës Kombëtare për Auditim për të ndihmuar në implementimin e suksesshëm të saj.
Z. Osmani e cilësoi një lajm të mirë aprovimin e Ligjit të ri për Zyrën Kombëtare të Auditimit (siç do të quhet sipas Ligjit të ri) nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, javën e kaluar dhe falënderoi Ministrin Hoti për përkrahjen në finalizimin e tij. Ai theksoi se \"mirëpret rikonfirmimin ligjor për pavarësinë funksionale, financiare dhe operative të Zyrës Kombëtare të Auditimit, dhe se tani po analizohet ndikimi praktik i Ligjit si dhe po bëhen përgatitjet për implementimin e plotë të tij, sapo të hyj në fuqi\".
Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani kërkoi nga Ministri Hoti përkrahjen e mëtejshme institucionale në mënyrë që Zyra Kombëtare e Auditimit të pajiset me resurset adekuate për përmbushjen e obligimeve ligjore, qoftë me rekrutimin e personelit të nevojshëm, krijimin e hapësirave adekuate për punë dhe përkrahjen buxhetore për projektet që e lehtësojnë funksionimin e Zyrës së Kombëtare të Auditimit.
Ministri Hoti e njoftoi z.Osmani me progresin në reformën e menaxhimit të financave publike dhe tha se mirëpret rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm në këtë proces të rëndësishëm. Ai rikonfimoi përkrahjen e Qeverisë, në veçanti të Ministrisë së Financave në funksion të forcimit të pavarësisë financiare të Zyrës së Kombëtare të Auditimit si dhe ritheksoi gatishmërinë e Qeverisë për implementimin e plotë të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm.