OSHP do të ketë pesë anëtarë
Prishtinë, 2 mars - Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin për ti propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës emërimin e anëtarëve në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Kryeministri Isa Mustafa foli për ndryshimin dhe plotësimi e Ligjit për Prokurim Publik dhe hyrjen në fuqi pasi që është nënshkruar nga presidentja e vendit dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare.
Sipas ligjit janë pesë anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik. Dy anëtarë e vazhdojnë punën sipas mandatit të tyre. Duhet të zgjidhen edhe tre anëtarë të tjerë. Ligji parasheh që për çdo anëtarë duhet të japim dy propozime, prandaj ne i japim gjashtë propozime Kuvendit. Komisioni i Kuvendit i përcaktuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të verifikojë përshtatshmërinë e kandidatëve dhe do ta bëjë rangimin e kandidatëve dhe do ti propozoj pastaj Kuvendit zgjedhjen e tyre. Të gjithë kandidatët duhet të kenë provimin e jurisprudencës dhe të plotësojnë kushtet si për gjyqtarë. Ato kritere sipas informatave që kemi janë plotësuar edhe me këto propozime. Është edhe një prej kushteve të liberalizimit të vizave, sepse me këtë e përmbushim edhe kushtin sa i përket Prokurimit Publik, tha kryeministri Mustafa.