Optimizëm në aktivitetet biznesore dhe punësim
Prishtinë, 14 maj - Në Odën Ekonomike të Kosovës sot janë prezantuar të gjeturat e hulumtimit Monitori i Biznesit Kosovar i mbështetur nga organizata gjermane GIZ dhe i realizuar nga OEK-u i cili ka rezultate dhe pritje optimiste të bizneseve për aktivitetin biznesor dhe punësim në gjashtë muajt e ardhshëm.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu me këtë rast theksoi se rezultatet e hulumtimit tregojnë se ka pritje për përmirësime të theksuara në biznes në sektorin i tregtisë me shumicë dhe atë të prodhimit kanë pasuar nga sektori i shërbimeve, tregtisë me pakicë dhe ai i ndërtimit. Këtë tremujorë, sektori i tregtisë me pakicë dhe sektori i ndërtimit megjithatë kanë performuar më dobët, krahasuar me sektorët e tjerë. Sidoqoftë edhe te këta sektorë përmirësimi është i theksuar, ka thënë Gërxhaliu.
Kurse Ministri i Punës, Arban Abrashi, i cili mori pjesë në prezantimin e hulumtimit, tha se gjetjet përputhen me analizat e Ministrisë që ai drejton, se në vitin 2015 dhe 2016 ka rritje të zhvillimit ekonomik.
Pritjet për të ardhmen janë përmirësuar për të gjithë sektorët. Pritjet më të larta janë te sektori i prodhimit (nga 40 në 76*), tregtia me shumicë (nga 39 në 52), sektori i ndërtimit (nga 14 në 24), sektori i shërbimeve (nga 54 në 63) dhe sektori i tregtisë me pakicë (nga 27 në 34). Indikatori i konfidencës ka shënuar përmirësim këtë tremujorë. Besimi i bizneseve ka filluar të ngjallet, por sidoqoftë ende mbetet nën nivel negativ.
Rritja në vlerë është 8.3%. Indikatori për matjen e tendencës në biznes Monitori i Biznesit Kosovar aplikohet për herë të parë në Kosovë në këtë vit. Qëllimi këtij hulumtimi është të ofroj informacion të besueshëm dhe në kohë për zhvillimet ciklike në ekonomi; të ofroj informacione shtesë të rëndësishme të të dhënave statistikore kuantitative që publikohen me më vonesë; ofron mundësinë e vlerësimit të gjendjes së përgjithshme ekonomike si dhe identifikon ndryshime në ciklin e biznesit në kohë ose edhe paraprakisht; dhe plotëson një nga kërkesat e Komisionit Evropian për realizimin e studimeve të harmonizuara për tendencën në biznes në të gjitha vendet anëtare.
Ky indikatorë llogaritet në më shumë se 100 vende dhe në Kosovë është realizuar me ndihmën e ekspertëve nga IFO Institute nga Gjermania. Anketa është zhvilluar në gjysmën e dytë te muajit mars dhe planifikohet të bëhet vazhdimisht në baza tremujore.