Oligarkët rusë kanë të fshura rreth 1 trilion dollarë në mbarë botën
Londër, 28 mars - Rusët kanë rreth 1 trilion Dollarë të fshehura në mbarë botën dhe shtetet mesa duket po përpiqen që t’i gjejnë këto para.
Rreth ¼ e kësaj shume kontrollohet nga Presidenti rus Vladimir Putin dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, rusë të pasur të konsideruar si oligarkë. Të paktën ky është vlerësimi që jepet në raportin e Këshillit Atlantik të SHBA-së për vitin 2020, raporton BBC.
Për vite me radhë, oligarkët rusë kanë lëvizur miliarda Dollarë jashtë vendit, duke i fshehur në kompani offshore. Kjo e bën të vështirë, pothuajse të pamundur, që të gjurmohen.
Historikisht një pjesë e madhe e këtyre parave janë dërguar në Qipro, për shkak të taksave të favorshme. Edhe territoret britanike jashtë vendit, si Ishujt Kajman apo Ishujt e Virgjër, janë gjithashtu destinacione të preferuara për shkak të llogarive offshore.
Por ka edhe një pjesë të konsiderueshme parash që shkojnë në New York apo Londër, ku investohen në biznese dhe korrin fitime.
Por pas pushtimit të Ukrainës, me vendosjen e sanksioneve nga shumë shtete ndaj Rusisë, Presidentit Putin dhe oligarkëve rusë, synohet që të gjenden këto para se ku fshihen.
Masat e vendosura nga SHBA, BE dhe Britania ndaj oligarkëve rusë shihen si një mënyrë që këta të fundit të ushtrojnë trysni ndaj Presidentit Putin dhe të tërhiqet nga lufta në Ukrainë.