OKB planifikon të mbledhë 22 miliardë dollarë për ndihma humanitare
New York, 6 dhjetor - Zyra e Kombeve të Bashkuara për Ndërmjetësimin e Punëve Humanitare njoftoi se për vitin 2017 planifikon të grumbullojë 22.2 miliardë dollarë amerikanë fonde për plotësimin e nevojave humanitare në 33 vende.
Sipas këtij plani, bota ndodhet tani përpara krizës më serioze humanitare që pas Luftës së Dytë Botërore dhe 128 milionë njerëz janë prekur nga konfliktet dhe fatkeqësitë natyrore.
Në një konferencë shtypi të zhvilluar të hënën në Pallatin e Kombeve të Gjenevës, sekretari i përgjithshëm i OKB-së për punët humanitare, Stephen O\'Brien prezantoi planin e mbledhjes së fondeve humanitare për vitin 2017.
\"Plani për vitin 2017 përfshin 33 vende të botës dhe synon të grumbullojë gjithsej 22.2 miliardë dollarë amerikanë. Kjo është kërkesa më e madhe për fonde e bërë ndonjëherë nga OKB-ja, që pasqyron gjendjen më serioze humanitare që pas Luftës së Dytë Botërore. 80% e kësaj gjendjeje është shkaktuar nga konfliktet.\"
Në deklaratën e publikuar po të hënën nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Ndërmjetësimin e Punëve Humanitare thuhet se fondet ndihmëse do të përdoren kryesisht për të ndihmuar njerëzit e prekur nga konfliktet dhe fatkeqësitë natyrore, duke përfshirë ushqimet, strehimin, kujdesin shëndetësor, mbrojtjen, edukimi për ndihmën e shpejtë si dhe ndihma të tjera bazë.
Në deklaratë vihet në dukje se konfliktet e vazhdueshme e të dhunshme janë faktori kryesor që shkakton kriza humanitare dhe fondet në këtë drejtim zënë 1/3 e totalit. Sipas parashikimit, 3.4 miliardë dollarë pritet të shkojnë për Sirinë, 1.9 miliardë për Jemenin, 1.3 miliardë për Sudanin e Jugut dhe 1 miliardë për Nigerinë.
Mësohet se totali i fondeve humanitare të mbledhura për vitin 2016 nga OKB-ja u rrit 20.1 miliardë dollarë amerikanë në fillim të vitit në 22.1 miliardë dollarë, por ende mungojnë 10.7 miliardë dollarë, një shifër rekord në histori.