OKB: 3.1 për qind rritje ekonomike botërore në vitin 2015
New York, 11 dhjetor - Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) parashikon se ekonomia botërore do të rritet 3.1 për qind në vitin 2015 dhe 3.2 për qind në vitin 2016. Kurse, këtë vit rritja mund të jetë 2.6 për qind.
Sipas raportit të publikuar të mërkurën mbi perspektivën e situatës ekonomike globale 2015, OKB-ja parashikoi se sfidat si pasojë e krizës financiare, konfliktet gjeopolitike si ai në Ukrainë, epidemia e Ebolës etj., do të ndikojnë në ngadalësimin e rritjes së ekonomisë botërore me një diferencë të lartë mes vendeve të ndryshme.
Ndërkohë, rritja e tregtisë botërore do të vazhdojë të ngadalësohet dhe shumica e vendeve të zhvilluara do të vijojnë me politikën e kursimeve.
Në raport theksohet gjithashtu nevoja për koordinimin e politikave nga komuniteti ndërkombëtar për ruajtjen e stabilitetit afatgjatë ekonomiko-financiar.