OEK-u mobilizohet për Trepçën
Prishtinë, 20 janar - Trepça, me të gjitha resurset nëntokësore mbitokësore, është shansi më i madh për perspektivën dhe stabilitetin ekonomik të Kosovës.
Ky ishte njëri nga vlerësimet që doli nga takimi i Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës me Ferat Shala, drejtor menaxhues i kompleksit Trepça, i mbajtur të premten në Prishtinë.
Çështje kryesore për të cilën u bisedua gjatë takimit ishte gjendja aktuale në Trepçë dhe perspektiva e saj në kornizën legjislacionit të Kosovës, por edhe të zhvillimeve në tregun ndërkombëtar të metaleve.
U potencua se korniza ligjore duhet të plotësohet edhe më tutje, meqenëse ajo ekzistuese nuk hap mundësinë që në Trepçë të implementohen të gjitha idetë dhe nisiativat që burojnë nga kuadrat e saj.
Ndërkaq, gjendja në treg është shumë e përshtatshme, meqenëse në vazhdimësi është dhe po rritet kërkesa për plumb dhe zink, kurse çmimi i tyre është në ngritja.
Ky është shansi për Trepçën, u tha në këtë takim. Prandaj po krijohet ambienti që përmes partneritetit, me qëllim të investimeve për aftësimin e kapaciteteve përpunuese të këtij kompleksi.
Me qëllim të arritjes së këtyre synimeve duhet avancuar format e komunikimit me Agjencionin Kosovar të Privatizimit, si edhe inkuadrimin e saj për rritjen e vlerës së Trepçës, kryesisht përmes investimeve në xehetari dhe në kompleksin e përpunimit.
Jemi të mobilizuar që të bëjmë studimin fizibilitetit që duke investuar 40-50 milionë euro, të futet në funksion i tërë kompleksi Artanë Kizhnicë, duke ofruar nivel të lartë për mbrojtjen e ambientit. Sa i përket risive të tjera, po përmendi hapjen e Muzeut të Gjeologjisë në Stan Tërg, si edhe të vazhdojmë punësimin e të rinjve, ka thënë Ferat Shala.
Në Trepçë vjet janë punësuar 258 punëtorë të rinj, të cilët paraprakisht janë trajnuar dhe janë licencuar për punë në të gjitha linjat e prodhimit. Tash kompleksi punëson 1.507 veta.
Jam i impresionuar me zhvillimet që po ndodhin në kompaninë,e cila është me interes jetik për zhvillimin qëndrueshëm ekonomik të Kosovës. Informatat që u paraqitën gjatë këtij takimi më trimërojnë dhe më nxisin edhe më shumë që Oda Ekonomike e Kosovës gjatë tërë vitit të jetë e angazhuar për të ndihmuar Trepçën dhe njerëzit që përmes fakteve dhe të arriturave po demantojnë vlerësimet e menjëhershme se ajo është dinosaur i Kosovës."
"Unë i përgëzoj për këtë përkushtim dhe ju premtoj se do të lobojmë për kompletimin kornizës ligjore, e cila mundëson aktivizimin e këtij kompleksi, përkatësisht që ajo të konsolidohet dhe të shpëtoj nga privatizimi i ngutshëm dhe që pasuria e saj të mos përdoret për mbulimin e kërkesave nga pretendentë të dyshimtë, apo për spastrimin e llogarive të mëhershme, pjesë e të cilave nuk ka qenë Trepça e sotme, e as njerëzit që aktualisht punojnë aty. Në këtë drejtim Oda ekonomike e Kosovës do të jep përkrahje të plotë dhe pa asnjë rezervë, ka deklaruar Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK-ut.