OEK shpreh brengosje të thellë me zhvillimet e fundit në vend
Prishtinë, 9 tetor - Oda Ekonomike e Kosovës si asociacion më i madh i bizneseve të Republikës së Kosovës i themeluar me ligj nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, shpreh brengosjen e thellë me ngjarjet e fundit në skenën politike të vendit dhe tendencat për bllokimin e punës së institucioneve.
Në kontaktet e shumta që i ka OEK-u me asociacionet dhe bizneset vendore dhe ndërkombëtare është duke na u përcjell porosia se situata aktuale ka dhe do të ketë gjithnjë e më shumë ndikim negativ në zhvillimin ekonomik dhe zgjidhjen e çështjeve sociale marr parasysh faktin se tek investitorët vendor dhe ndërkombëtar është duke ndodhur zvogëlimi rapid i interesimit për të investuar në vendin tonë.
Oda Ekonomike e Kosovës i fton përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të Kosovës që të lënë anash mospajtimet dhe animozitetin e ndërsjell dhe që në veprimet e tyre të kenë parasysh interesin e qytetarëve të vendit.
Ndërsa interesi i qytetarëve të vendit sipas bindjes sonë të thellë është krijimi i kushteve për zhvillim ekonomik përmes investimeve të brendshme dhe të jashtme, funksionimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe krijimi i kushteve për jetë të dinjitetshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës.