OEK: Remitencat të orientohen në zhvillimin ekonomik
Prishtinë, 23 shkurt - Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) në bashkëpunim me Instituti Zviceran i Studimeve Shqiptare ka organizuar forumin \"Diaspora, urë e shkëmbimit të njohurive ekonomike\" me qëllim integrimin dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik me diasporën.
Aty u theksua se Diaspora shqiptare vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike dhe politike në Kosovë. Kjo për faktin se 70 për qind e mërgimtarëve dërgojnë remitencat në familjet e tyre.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, theksoi se Zvicra është dëshmuar si embrion i demokracisë i të gjithë njerëzve që jetojnë aty. Ai ka theksuar se një kontribut i forumit të tillë ka rëndësi multidimenzionale.
Diaspora nuk e meriton të shihet vetëm nga dimensioni financiar. Jemi me fat që diaspora e Kosovës është pjesë e proceseve pozitive kudo në botë dhe ne këtë duhet ta shfrytëzojmë. Është koha të bëhet më tepër se sa të flitet për diasporën, ka theksuar Gërxhaliu.
Ai ka theksuar se duhet marrë shembuj nga Zvicra dhe duhet mësuar se si të shfrytëzohet paraja e diasporës si infuzion që të jetë në funksion të zhvillimit.
Kjo që po bëjmë sot është më e vogla që kemi bërë për diasporën. Një bashkëpunim i tillë me diasporën është garanci e suksesit të projektit të quajtur RKS. Bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik ta orientojmë në dialog, në punë dhe të thellohet bashkëpunimi me diasporën, ka theksuar Gërxhaliu.
Ndërsa përfaqësuesja e Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, Anita Schluchter Rot, tha se kjo lloj ngjarje është shumë e rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës dhe zhvillimin e marrëdhënieve të shteteve tona.
Pajtohem me shumicën e gjërave që u thanë, marrëdhëniet në mes të vendeve janë shumë të ngushta, por kjo sigurisht është e vërtet në nivel shtetesh. Diaspora kosovare luan një rol të rëndësishëm dhe dua të theksoj që Diaspora kosovare jo vetëm këtu por edhe në Zvicër me të gjithë sipërmarrësit kontribuojnë në zhvillimin e Zvicrës, dhe kjo është e rëndësishme edhe për Kosovën, ka thënë ajo.
Shifrat që shkëmbehen ndërmjet vendeve tona për sa i përket tregtisë bilaterale janë 30 milionë euro dhe mesatarja e viteve të mëparshme i kemi 40 milionë euro, kurse 150 milionë janë remitenca. Tani të gjithë flasin për ndryshimin e këtyre shifrave për të rritur tregtinë, eksportin e produkteve dhe si mund ta bëjmë këtë, ka thënë ajo.
Në zyrën time vijnë njerëz që janë të interesuar të investojnë, janë këta njerëz që i njohin gjuhët e huaja. Praktikisht duan të vijnë të bëjnë ndërmarrje këtu dhe unë e kuptoj që problemet nuk janë politike, ose çështje infrastrukturore. Problemi është sistemi juridik, problemi i arsimit dhe funksionimi i institucioneve.
Driton Kajtazi, drejtor i Institutit Zviceran i Studimeve Shqiptare ka kërkuar që në privatizimin e ndërmarrjeve në Kosovë të përfshihet edhe diaspora kosovare.
Shpesh është përmendur se pavarësia e Kosovës është bërë edhe me kontribut të diasporës, atëherë nëse kanë qenë kontribuues të pavarësisë, le të bëhen edhe kontribut i ekonomisë dhe të gjitha këto privatizime të bëhen edhe me diasporën, ka thënë Kajtazi.