OEK, papunësia mbi 45 për qind
Prishtinë, 17 shtator - Në Kosovës shkalla e papunësisë vazhdon të jetë shqetësuese dhe me trendë negative ku sipas Buletinit për muajin Gushtë të Odes Ekonomike të Kosovës (OEK), shkalla e papunësisë gjatë vitit 2011 ishte 45.1 për qind.
Ekonomia e Kosovës vazhdon të karakterizohet me normë të lartë të papunësisë e cila paraqet sfidën kryesore për stabilitetin ekonomik dhe social në vend. Normat e rritjes ekonomike në vitet e fundit nuk po arrijnë të absorbojnë fuqinë punëtore në vend e cila vazhdimisht karakterizohet me rritje si rezultat i strukturës së re të popullsisë.
Gjatë vitit 2011 zyrtarisht shkalla e papunësisë ishte 45.1 për qind. Punësimi në Kosovë mund të ketë shënuar rritje, mirëpo rritja e vazhdueshme e fuqisë punëtore e bënë më të vështirë zvogëlimin e normës së papunësisë, thuhet në Buletinin e OEK-ut për muajin gusht.
Rritja e fuqisë punëtore në Kosovë vjen si rezultat i strukturës së popullsisë marrë parasysh se grup-moshat e reja përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së vendit. Struktura e popullsisë në Kosovë dominohet në masë të madhe nga grupi të cilët janë në moshë pune.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), numri i punëkërkuesve aktiv të regjistruar në MPMS në fund të vitit 2011 ishte 325.261 punëkërkues të regjistruar. Kjo paraqet rënie prej 3 për qind në numrin e punëkërkuesve krahasuar me fundin e vitit 2010, thekson OEK-u.