04 Maj 2024

OEK kërkon nga institucionet pse investojnë në hulumtime e raporte

Prishtinë, 14 maj - Realiteti ekonomik në Kosovë edhe më tutje vazhdon të përcillet me disa zhvillime, të cilat shpesh krijojnë huti në opinion, apo paraqesin një pasqyrë të deformuar në krahasim me të vërtetën. 

Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë të ditur se me shqetësim është duke përcjellur dhe duke analizuar të gjeturat e disa raporteve, të quajtura hulumtuese, apo të manifestimeve që gjoja organizohen për nevojat e biznesit, e që në fakt nuk prodhojnë asnjë efekt konkret.

"Me të gjeturat pa respektuar kriteret metodologjike të hulumtimit, pastaj me të dhëna që dukshëm shmangen nga realiteti, ose me pompozitetin që më shumë ka për qëllim krijimin e zhurmës mediatike, ato janë të papërdorshme, përkatësisht me asgjë nuk i ndihmojnë bizneset, veçanërisht atyre prodhuese", thuhet në reagimin e OEK-ut.

Ndërkaq, për hulumtime, projekte e evenimente të ndryshme, gjoja me rëndësi për ekonominë dhe biznesin sipas OEK-ut investohen shumë para, të cilat kanë prejardhjen edhe nga tatimpaguesit e vendit, por edhe nga fonde e fondacione të brendshme, ose të jashtme. 

Këtu, siç ka thënë Oda në reagimin e saj nuk është i kontestueshëm vetëm qëllimi, të gjeturat dhe efektet e fundit, sa mënyra e financimit, mungesa e mbikëqyrjes dhe e avokimit, si edhe transparenca e procedurës së marrjes së vendimeve për financim, apo edhe mënyra e shpenzimit të parasë që tatimpaguesit e ndajnë për zhvillimin e vendit, apo për ngritjen e mirëqenies sociale të të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë.

Duke pasur parasysh zhvillimet e këtilla, Oda Ekonomike e Kosovës, si institucion që fillimisht mbron interesat e bizneseve të anëtarësuara aty, kërkon llogaridhënie, veçanërisht nga institucionet e pushtetit, por edhe nga ato institucione ndërkombëtare që vazhdimisht deklarohen se po ndihmojnë forcimin ekonomik të Kosovës.

OEK kërkon nga institucionet e pushtetit, ministritë e agjencionet ndryshme qeveritare, si edhe ato të nivelit lokal, të tregojnë para tatimpaguesve arsyen pse kanë investuar në projekte të këtilla dhe cili ka qenë përfitimi i përgjithshëm, qoftë ekonomik, apo social.

“Përmes kanaleve të këtilla nga buxheti i Kosovës, apo nga fondet e donatorëve të ndryshëm dalin miliona euro, ndërkaq mungon përgjigja pse ishte e nevojshme që ato të financojnë projekte, të cilat nuk kanë sjellur asnjë efekt konkrete. Mos ndoshta këto kanale shfrytëzohen si format më të përshtatshme që paraja publike të përfundoj në kontot private, apo të subjekteve qeveritare e joqeveritare, të cilat asnjëherë nuk kanë dëshmuar se kanë kapacitet njerëzore e intelektuale për të nxjerrë këtë vend nga varfëria e nga mjerimi", ka thënë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gerxhaliu.

Për këtë ilustrim më i mirë sipas tij është fakti se numri më i madh hulumtimeve të këtilla mbesin të pluhurosura nëpër arkiva të ndryshme, meqenëse  ato askujt nuk i duhen, nuk ofrojnë asnjë produkt që do të ishte në të mirë të bizneseve, apo të qytetarit. 

"Pikërisht për shkak të mungesës së efekteve, të evokimit dhe të transparencës, ne kemi dyshime serioze për arsyeshmërinë dhe ligjshmërinë e financimeve të këtilla”, thotë Gërxhaliu.

Oda Ekonomike e Kosovës sipas tij edhe më tutje do të vazhdoj të përcjell mënyrën se si po shpenzohet paraja publike, posaçërisht ajo që investohet në projekte që proklamohen se janë me interes për biznesin, për ndryshimin e ambientit për biznes, apo për punësim më të madh.

"Edhe më tutje përmes anëtarëve të saj – bizneseve,  do të maten efektet konkrete dhe qëndrueshmërinë e të dhënave që nxjerrin hulumtimet e tilla, të cilat do t’i bëjë publike."

Qëllimi i OEK-ut nuk është që të bllokoj investimet në veprimtaritë kreative e hulumtuese, por që të financohen idetë dhe projektet që së paku me diçka i ndihmojnë biznesit dhe qytetarëve, por me kusht që e tëra të bëhet në mënyrë të arsyeshme e të ligjshme, të jetë e monitoruar dhe me transparencë të plotë.

Papunësia në Kosovë duke qenë si problemi më i madh makroekonomik i vendit që në të njejtën kohë shkkaton vazhdimisht rritje të skemës sociale, nuk mund të adresohet e as të zvogëlohet me ngjarje, ceremoni dhe aktivitete që kanë si qëllim vetëm përfitimin e promovimit të individëve, OJQ-ve dhe disa donatorëve, e jo që të krijohet ambient i favorshëm për prodhim, investime të huaja, forcim i NVM-ve dhe rritje ekonomike substanciale e vendit, theksoi Gërxhaliu.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)