OEK kërkon largimin e Prishtinës nga karantina dhe rihapjen e disa bizneseve
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi gjatë një konference për media tha se duhet të fillohet me rihapjen e disa veprimtarive ekonomike nga java e ardhshme.
"Një nga vendimet e para që duhet marrë qeveria është që Prishtina të largohet nga karantina, e cila që nga 11 prilli është shpallur si zonë karantinë duke ndaluar hyrjet dhe daljet në këtë komunë", ka thënë Rukiqi.
Ndërkaq, në nivel të Kosovës sipas tij duke filluar nga java tjetër duhet të lejohet puna në sektorët që kanë rrezikshmëri të ulët dhe ku situata mund të menaxhohet mirë, përfshirë distancën fizike dhe masat tjera.
OEK vlerëson se sektori i ndërtimtarisë dhe komplet sektori i prodhimit, aty ku nuk ishin lejuar të punohet, mund të rihapen.
“Gjatë muajit maj duhet të mundësohet të fillohet puna në tërë zinxhirin e shitjes me pakicë. Propozimi ynë është që kjo të lejohet në objektet deri në 800 metra katrorë dhe kjo të jetë nga java e parë e majit."
"Pastaj, nga java e tretë e muajit maj të mundësohet fillimi i punës në tërë sektorin e shërbimeve dhe në të njëjtën kohë të hartohet një plan operacional për hapjen graduale të sektorit të hoteleve, restoranteve dhe kafiterive si dhe transportit të udhëtarëve”, ka theksuar Rukiqi.
Bizneset sipas Rukiqit duhet të përgatiten për masa mbrojtëse, hapësirë që mundëson ruajten e distancës sociale, programe të kthimit të atraksionit që të tërheqin më shumë konsumtarë, të cilët do të hezitojnë të shpenzojnë para tani.